Kryenegociatori i Shqipërisë për negociatat me BE-në, Zef Mazi u shpreh mbrëmjen e djeshme se kryetari i PD-së, Lulzim Basha i ka refuzuar tre herë kërkesat për ta takuar në kuadër të procesit të integrimit.
Ai i kërkoi që integrimin të mos e mbështesë vetëm me retorikë, por edhe me vepra. Ndryshe është situata me presidentin. Mazi u shpreh se me Ilir Metën ka një tjetër marrëdhënie.
“Kabineti im i ka kërkuar tre herë takim kabinetit të kryetarit të opozitës dhe nuk kemi marrë përgjigje. Kurse presidentin unë e kam takuar dhe kemi rënë dakord, që në çdo rast unë vij dhe në çdo rast që ai të më thërrasë unë shkoj. E kam takuar. Kryetari i opozitës nuk ka gjetur kohën të më presë”, – tha Mazi për emisionin ‘Log’.
Por çfarë do i thoshit nëse do ta takonit? “Do i them ta mbështesë jo me retorikë por me vepra integrimin. Deri tani retorika ka qenë pozitive por veprat lënë për të dëshiruar”, – deklaroi ai.
BE vendosi pak ditë më parë që të mos hapte negociatat dhe të vendoste datën për konferencën e parë ndërqeveritare për Shqipërinë për shkak të vetos bullgare për Maqedoninë, gjë që e pësoi edhe Tirana, pasi dy vendet e Ballkanit nuk u ndanë nga unioni për rrugëtimin drejt Bashkimit Europian.
Diskutime rreth kësaj post