Nikos Gelia është një aktor me origjinë shqiptare që jeton dhe punon në Greqi prej mëse 25 vitesh.
Gelia është i njohur në kinematografinë greke dhe për të arritur karrierën që ka sot i është dashur mund e punë.
Së fundmi, në një intervistë të dhënë për një revistë greke, Nikos Gelia ka treguar edhe një episod me policët grekë disa vite më parë.
“Para disa vitesh më ndaloi policia pranë shtëpisë time dhe kërkoi të verifikonte patentën. Kur mësuan se isha nga Shqipëria më kërkuan të hapja bagazhin, ku kisha dhe kostumet e shfaqjeve. Më pyetën se çfarë punoj dhe u thashë që jam aktor. Më pas më thanë që ‘edhe shqiptar edhe aktor’? Iu përgjigja me ironi që “ndodh edhe kjo”, u shpreh aktori.
Nikos tregon peripecitë që i është dashur për të marrë kartën greke të identitetit pas 26 vitesh, edhe pse është i martuar me një grua greke dhe së bashku kanë fëmijë.
“Këtë vit më në fund mora letënjoftimin grek. Në Greqi për të marrë një kartë identiteti greke duhet të vërtetosh që ke lidhje me një grek. Për një emigrant të brezit të dytë është shumë e vështirë. Kam miq nga Afganistani që janë në Greqi prej 25 vitesh dhe po përballen me të njëjtin problem. 3 muaj më parë mora kartën greke të identitetit. M’u desh të plotësoja të gjitha të dhënat, që jam i martuar me një greke, që kemi një fëmijë së bashku, që nëna e fëmijës është greke dhe konsiderohet greke e jo shqiptare, që unë jetoj këtu prej më shumë se 25 vitesh dhe që kam studiuar në universitet grek”, theksoi aktori me origjinë shqiptare.
Diskutime rreth kësaj post