Një rrëfim tronditës për një natë tmerri që i ka ndodhur vetëm dy ditë para Vitit të Ri një të moshuare në Maliq, teksa policia është mjaftuar me një njoftim ditën e ngjarjes, sipas saj të pasqyruar në faqen zyrtare.
Luljeta Hoxha, 67 vjeçe ka përjetuar torturë për disa orë, teksa një person ende i paidentifikuar i ka grabitur 10 mijë euro pasi e ka dhunuar dhe lidhur duar e këmbë.
Ajo ka folur në një intervistë për gazetaren Lorena Kodra nga spitali, ku ndodhet prej 29 dhjetorit, pas grabitjes në shtëpinë e saj ku jetonte e vetme prej dy vitesh.
“Në 21:40 unë shkova në banjë dhe rashë të flija. Sa rashë në këtë pozicion (tregon kur shtrihet) pa më zënë gjumi erdhi një djalë i gjatë i veshur, i maskuar, me kapuç e maskë, vetëm një pashë.
Ai telefonin në dorë, unë telefonin më dorë, ma mori telefonin dhe ma hodhi. Lekët tha se të vrava dhe nxori një thikë. I thashë nuk kam lek. Lekët e pensionit dhe kartat e bankës, kam ca lekë në bankë.
Lekët tha se të vrava dhe e vuri edhe njëherë kapuçin të mos i shihja hundën. Më hipi sipër dhe më lidhi duart me litar. Ja ku i kam shenjat akoma, po bëj 8 ditë. Më mori 10 mijë euro.
Bam këtu, bam këtu (tregon vendet ku e ka goditur), më lidhi duart, më lidhi edhe këmbët, lekët se të vrava, nuk kam lekë mor bir, prapë unë u mundova të rezistoja pastaj më mori zvarrë si ata hajvanët e ngordhur dhe më shpuri nga dhoma tjetër, i themi dhomë pritje.
Lekët, nuk kam, lekët, nuk kam, pastaj po shkumëzoja, m’u pre takati, humba ndjenjat fare”, rrëfeu gruaja.
Ajo tregoi më tej se lekët i kishte nga shitja e dy tokave.
“Unë nuk fola më, lekët i gjeti vetë. Kam shitur 2 toka një në 2001 një në 2012. Një e kam shitur 13 milionë, një e kam shitur 4 milionë e 250 mijë.
Unë jetoj vetëm, burri ka 2 vite që më ka vdekur. Si u zgjova u lirova dhe u zgjidha vetë se isha edhe me shami të lidhura buzët, e kam gojën pleh.
Pastaj siç isha vajta lajmërova komshinë dhe u thashë më vranë, më morën lekët. Erdhën këta, lajmëruan policinë, erdhi policia më morën për këmbe për dorë më mbështollën me çarçaf, më hodhën në barelë dhe më sollën këtu”, tha e moshuara.
Sa i përket autorit, ajo nuk vë gishtin e akuzës tek asnjë. Luljeta rrëfen e tmerruar se ka frikë të kthehet në shtëpinë e saj.
“Policia më pyeti. Unë nuk dyshoj tek asnjë, nuk ia vë gishtin asnjërit apo në fshat apo në vëllazëri se kemi shkuar shumë, nuk di çfarë të them, por që u torturova shumë e kam gjoksin…
U prenë dritat, u hap porta thashë me veten time çfarë u bë.
Ishte djalë i ri 30-35, nuk e dallova dot, thërriste lekët dhe nxori një thikë dhe litarin që më lidhi. O lekët o të thera më thoshte mua.
Jetoj vetëm me pension, mbledh ndonjë lekë dhe lë mënjanë, vetëm këto nuk i gjetën dot, nuk kishin rrëmuar aq.
Kishin hapur divanët, se unë aty i mbaj, kishin bërë rrëmujë.
Kam shumë frikë të kthehem në shtëpi, shumë, po them mos marr ndonjë urdhër mbrojtjeje nga polici i zonës.
Nuk kam besim se do gjendet këtë pyetje ma ka bërë dhe policia.
Burri më ka vdekur, fëmijë nuk kam, mbesat kujdesen për mua hynë-dalin.
Mblodha dy lekë, i hoqa mënjanë, i hoqa për të tjerët…
Më dhembin brinjët, nuk më kanë thënë akoma kur do dal, jam shumë e rënduar, më është mpiksur gjaku, kam bërë skaner, grafi, skopi”, tha gruaja.
Diskutime rreth kësaj post