Pasi SHBA u largua nga Afganistani, duke i dhënë fund një lufte 20-vjeçare, gratë dhe vajzat e këtij vendi përballen tani me realitetin e zymtë të jetës nën sundimin e talebanëve. Shumë ekspertë thonë se të drejtat e tyre janë në rrezik.
Luftëtarët talebanë festuan duke qëlluar me armë zjarri ndërsa ushtarët e fundit amerikanë u larguan nga aeroporti i Kabulit në Afganistan.
Për gratë afgane, tërheqja e Shteteve të Bashkuara do të thotë një epokë e re mes frikës dhe pasigurisë për atë që i pret.
Talebanët kanë premtuar se do t’u japin grave disa të drejta, brenda ligjeve të islamit, por shumë janë skeptikë pasi dyshojnë se të drejtat themelore si shkollimi dhe punësimi për gratë mund të hiqen.
Në qytetin perëndimor të Heratit, gratë afgane organizuan një protestë me thirrjet për të drejtën për të punuar si dhe përfaqësim në qeverinë e re të talebanëve.
“Unë u detyrova të qëndroja në shtëpi 20 vite më parë vetëm se isha studente. Tani 20 vite më pas mund të qëndroj sërish në shtëpi vetëm se jam mësuese”, thotë Lina Haidari.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha këtë javë se çdo bashkëpunim i SHBA-së me një qeveri të re afgane të udhëhequr nga talebanët, do të varet nga veprimet e saj.
“Në marrëdhëniet me talebanët, përfshirë edhe në dhënien e ndihmave, ajo që na udhëheq do të jenë veprimet e qeverisë së re afgane. Veçanërisht respektimi i të drejtave të popullit afgan, përfshirë gratë dhe vajzat si dhe një qeveri gjithëpërfshirëse”, tha ai.
Senatorja amerikane Jeanne Shaheen tha në një diskutim të organizuar nga gazeta “Washington Post” këtë javë se marrëveshja që u negociua mes administratës Trump dhe talebanëve në vitin 2020 në Doha të Katarit nuk ofroi asnjë garanci për një qeveri gjithëpërfshirëse dhe mbrojtje për të drejtat e grave.
“Unë e ngrita shqetësimin me ish -Sekretarin Pompeo, me Ambasadorin Khalilzad se gratë nuk ishin të përfaqësuara në bisedime, pavarësisht faktit që ne kemi dokumente të nënshkruara nga ish-Presidenti Trump ku theksohet se në zonat e konfliktit, gratë duhet të jenë në tryezën e negociatave. Kur po negocionim përfundimin e marrëveshjes këto mesazhe ranë në vesh të shurdhër. Pra, tani jemi përballë faktit se gratë dhe vajzat nuk ishin të përfaqësuara në negociata dhe nuk ka asnjë garanci për to në të ardhmen”, thotë senatorja demokrate.
Një ish-gjyqtare afgane, që tani jeton në mërgim po gjatë forumit të gazetës “Washington Post” tregoi për gjendjen ku ndodhen gratë aktiviste që janë ende në Afganistan.
“Ato janë në depresion, janë të pafuqishme. Ato nuk mund të bëjnë më asgjë për veten. Papritmas e gjejnë veten në një situatë ku janë ë varura nga anëtarët meshkuj të familjes”, deklaroi ajo.
Shumë kanë frikë se talebanët do t’i kthehen mënyrës brutale të qeverisjes, që ndoqën nga viti 1996 deri sa SHBA i dëboi ata në vitin 2001.
“Ata ndaluan pothuajse plotësisht arsimimin e grave dhe vajzave. Ata vendosën ndëshkime, përfshirë goditjen me gurë dhe rrahjet me kamxhik dhe i mbyllnin gratë në shtëpitë e tyre nëse nuk shoqëroheshin nga një burrë i familjes. Ekziston një frikë e mirëfilltë se këto rregulla mund të kthehen”, thotë Tarah Demant, nga Amnesty International.
Kërcënimet shumë reale për jetën e grave aktiviste afgane kërkojnë veprim nga administrata e Biden, thotë për Zërin e Amerikës Tarah Demant nga “Amnesty International” .
Tani për tani, shumë gra afgane po vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e tyre, ndërsa një protestë e re u zhvillua të premten në Kabul./voa
Diskutime rreth kësaj post