Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi teksa ka qenë në Malësinë e Madhe ku ka zhvilluar një takim me strukturat e LSI, nuk lë pa hedhur akuza ndaj qeverisë Rama.
Kryemadhi ka takuar edhe rapsodin e jashtëzakonshëm të Malësisë, lahutistin Jonuz Delaj. Gjatë bisedës ku kanë folur për lahtën, Kryemadhi shkruan se i ka ardhur në mendje dështimi i Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Jashtme për çështjen e trashëgimisë jo materiale së lahutës në UNESCO.
Më tej në postimin e saj akuzon qeverinë se ka shtatë vite në pushtet dhe nuk ka bërë asnjë veprim për regjistrimin e Eposit të Kreshnikëve në trashëgiminë jo materiale në UNESCO.
Reagimi i Monika Kryemadhit:
“Gjatë takimeve të zhvilluara me strukturat e LSI si kryetare partie, në Malësinë e Madhe, pata kënaqësinë që të takoj si qytetare, rapsodin e jashtëzakonshëm të Malësisë, lahutistin virtuoz Jonuz Delaj. Janë mijëra vargje të Eposit shqiptar që janë kënduar me këtë instrument të pakrahasueshëm dhe përcjellë brez pas brezi si një trashëgimi e rrallë dhe nga më të çmuarat për çdo brez shqiptarësh.
Gjatë bisedës me Jonuzin më erdhën ndërmend disa vargje të poetit tonë kombëtar At Gjergj Fishta, tek “Lahuta e Malcis”:
Përsè flamuri kuq e zí,
Sod mâ s’ pari, bukurí
Porsì fleta e Engllit t’ Zotit,
Po valvitë mbí tokë t’ Kastrjotit,
Si valviti dikúr motit;
E dér m’qiellë ushto brohrija,
Kah gërthet fusha e malcija:
Per jetë t’ jetës rroftë Shqypníja!
Një vepër e rrallë dhe monumentale, ku ndërthuret letërsia, tradita dhe historia jonë.
Ndërsa në anën tjetër mu përvijua dështimi i Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Jashtme për çështjen e trashëgimisë jo materiale së lahutës në UNESCO. Megjithëse ka kaluar mbi një vit e gjysëm ende asnjë veprim, vetëm fjalë dhe propagandë. Ka shtatë vite në qeverisje dhe nuk ka bërë asnjë veprim për regjistrimin e Eposit të Kreshnikëve në trashëgiminë jo materiale në UNESCO, megjithëse studimi është i plotë dhe ka fituar dhe çmim nga Europa Nostra.
Ministria e Kulturës dhe qeveria e Rilindjes do të kujtohen si shkatërruesit dhe rrënuesit e Kulturës dhe vlerave materiale e historike të saj. Do të kujtohen për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar si dhe dhjetëra ndërtesave të trashëgimisë kulturore të kategorisë së parë dhe të dytë në Tiranë.
Do të mbahen mend si rrënuesit e vlerave për t’i hapur rrugë betonizimit dhe pastrimit të parave nëpërmjet ndërtimit.
Ndaj LSI dhe Opozita e Bashkuar duhet të investojë seriozisht në ruajtjen e vlerave historike dhe kulturore të shqiptarëve. Duhet të rikuperojmë sa më shumë nga ky shkatërrim talebanesk i Rilindjes.
Opozita e Bashkuar nuk është thjesht vetëm një emërtim politik, por është edhe një koalicion shumë më i gjerë. Ai është një bashkim me qytetarët si Jonuzi dhe me të gjithë përfaqësuesit dhe përçuesit e vlerave kombëtare dhe ruajtësit e tyre.” – ka shkruar Kryemadhi.
Diskutime rreth kësaj post