Pas deklaratës së presidentiti Ilir Meta në komisionin parlamentar, i cili u shpreh se kishte informacione për se do të digjej Kuveni i Shqipërisë, ka reaguar Partia Demokratike.
Meta theksoi ndër të tjera kjo ishte dhe arsyeja që bëri që ai të anulonte datën e 30 qershorit për zgjedhjet lokale dhe të dekretonte 13 tetorin se datë të re zgjedhjesh.
Në një deklaratë për Panoramen, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, është shprehur se opozita nuk ka pasur kurrë një plan për djegien e Kuvendit. Bardhi theksoi gjithashtu se edhe kreu i PD, Lulzim Basha u ka bërë thirrje përfaqësuesve të opozitës që të distancohen nga aktet e dhunës.
“Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar nuk ka pasur kurrë asnjë plan për djegien e institucioneve, pavarësisht se ato nuk përfaqësojnë interesin publik, por interesin e një grupi oligarkësh dhe kriminelësh të lidhur me kryeministrin e vendit. Partia Demokratike fton mediat të hapë arkivat e javëve përpara 30 qershorit dhe do të gjejë se opozita dhe kreu i saj, Lulzim Basha, ka denoncuar skenarët e dhunshëm të Edi Ramës, që ka patur për qëllim t’i përdorë më pas kundër PD dhe opozitës. Në këtë këndvështrim, duhet të lexohet edhe deklarata e Presidentit Ilir Meta, i cili u shpreh se “nuk mund të pranonte një Rajshtag në Shqipëri”. Të gjithë e dinë se me djegien e dyshimtë të Parlamentit gjerman, Hitleri çimentoi pushtetin nazist pas ardhjes në pushtet pak kohë para djegies së Rajshtagut”, tha Gazment Bardhi.
Po ashtu, Bardhi ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e PD, duke thënë se komisioni për presidentin është një mjet i cili po përdoret për të mbuluar skandalet e qeverisë “Rama”.
“Partia Demokratike e konsideron komisionin hetimor për shkarkimin e Presidentit si një mjet për të mbuluar skandalet e qeverisë ilegjitime të Edi Ramës, ndërsa anëtarët e këtij komisioni, personazhe të dosjeve 184 dhe 339, si bashkëpunëtorë të krimit në vjedhjen e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare”, tha Bardhi.
Diskutime rreth kësaj post