Sali Berisha ka reaguar sërish sot për mbylljen e Kolegjit ‘Mehmet Akif’ me vendim të këshillit të ministrave.
Ndërsa e konsideroi Edi Ramën një vasal të Erdogan, që e cilëson Shqipërinë sipas tij vendin ku mund të urdhërojë hapje e mbyllje shkollash dhe xhamish, Berisha apeloi gjimnazistët e tjerë por edhe qytetarët t’ bashkohen protestës së nxënësve të ‘Mehmet Akif’.
“Sot, në këtë paraqitje para jush, dua të dënoj edhe njëherë, me ashpërsinë më të madhe qëndrimin cinik, të ulët, të Edi Ramës ndaj shkollave, ndaj arsimit privat në Shqipëri. Ky vasal i shpifur i Erdogan, që e cilëson Shqipërinë ku mund të urdhërojë hapje e mbyllje shkollash dhe xhamish, ka urdhëruar mbylljen e një kolegji me parametrat më të mirë dhe me një histori 26-vjeçare në Shqipëri, kolegjit ‘Mehmet Akif’.
Në traditën e tij të gënjeshtrave, Rama u tha shqiptarëve se shkaku i mbylljes ishte se miku i tij, me avionin e të cilit udhëton si taksi, ka blerë godinën. Gënjeshtar i lindur, i shpifur. Të na thotë pak, kopshtit me 255 nxënës, të gjithë të afërt me moshën e djalit të tij, çfarë kishe me kopshtin, që mbylle?
A e di ky njeri se ata vogëlushë, ditën pas çerdhes familjare, e kalonin në këtë çerdhe, me njëri-tjetrin, ku mësonin, gëzonin, festonin me njëri-tjetrin. Prisnin të nesërmen për të shkuar me kënaqësi në kopsht. Ky gënjeshtar i lindur, që për të zbatuar urdhrat e verbra të presidentit të Turqisë, shkel çdo kod etik dhe moral në vendin e tij.
Unë u bëj thirrje gjimnazistëve të Tiranës, të bashkohen me nxënësit e kolegjit ‘Mehmet Akif’. U bëj thirrje qytetarëve të Tiranës të mbështesin protestën e tyre, sepse kjo përbën një shkelje flagrante të lirisë së shkollimit. Ky është një vendim i marrë jashtë Shqipërie. Një vendim i turpshëm, një vendim që ka në bazë lidhje jashtëzakonisht të sëmura dhe të dyshimta.
Si mundet kryetari i qeverisë të një vendi, me urdhër të një presidenti të një vendi tjetër, t’u vërë çelësin kopshtit dhe shkollave të vendit? E dënoj me forcën më të madhe këtë vendim, antidemokratik dhe antishqiptar, të një njeriu, unë e kam të lehtë të them i kapur nga Sinan Idrizi, por jo, ai është vetëm një pion në këtë skenar të turpshëm, që nuk ndodh në asnjë vend, ndodh vetëm në republikën e mafies së Edi Ramës.
Edhe njëherë, solidariteti im i plotë me nxënësit dhe vogëlushët e kopshtit, viktima të një njeriu, të një gënjeshtari, mund t’i vësh çdo epitet, që nuk njeh as ligj e as moral.” -u shpreh Berisha.
Diskutime rreth kësaj post