Ngrirja e raporteve mes ILDKP dhe Prokurorisë së Përgjithshme ishte dje objekt i diskutimeve të forta në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Nga 160 dosje pasurie, të referuara nga ILDKP në organin e akuzës, në dy vjet, vetëm një numër i papërfillshëm ka përfunduar në gjykatë. Deputetët e Partisë Socialiste, Bashkim Fino, Pandeli Majko, Ulsi Manja, Dashamir Peza dhe Vasilika Hysi e quajtën të papranueshme dhe të rëndë këtë situatë.
Madje, deputeti socialist, Bashkim Fino, apeloi që Kuvendi t’i japë fund hipokrizisë me rezoluta dhe raportime të përvitshme, por të marrë masa ndaj institucioneve që nuk e kryejnë detyrën, deri tek shkarkimi i titullarëve. “E ka bërë punën mirë, inspektori në rastin konkret që është këtu? Po marr institucionin, s’po marr asnjë institucion tjetër.
Apo nuk e ka bërë punën mirë? Nëse e ka bërë mirë, ne duhet ta inkurajojmë më shumë që ta bëjë më mirë. Po në qoftë se nuk e ka bërë mirë, do të thotë që ne të bëjmë propozim për shkarkim. A kemi bërë ne, Komisioni i Ligjeve, në gjithë këto vite të raportimeve që kemi pasur, ndonjë shkarkim të bujshëm, të çdo institucioni që vjen këtu, inspektor të deklarimit të pasurisë, inspektor të mbrojtjes të të dhënave, inspektor të diskriminimit, Prokuror të Përgjithshëm? Asnjëherë. Kemi kaluar diskutimin e radhës, raportin e radhës hipokrizinë e radhës”, ka deklaruar Bashkim Fino.
Dashamir Peza
Deputeti i PS, Dashamir Peza, propozoi që Komisioni i ligjeve të thërrasë me shpejtësi kryeprokurorin Llalla, për të sqaruar situatën e rëndë. “Mendoj se është detyrë parësore e këtij komisioni të ushtrojë detyrën e duhur në organin e Prokurorisë, të verifikojë këto gjëra që u thanë sot këtu. Këtij komisioni të nderuar i takon që me shpejtësi dhe seriozitet të marrë në shqyrtim dhe të analizojë sa më shpjet Prokurorinë e Përgjithshme dhe Prokurorin e Përgjithshëm, për të kërkuar të sqarojë dhe të davariten disa nga paqartësitë, të cilat u shprehën sot këtu, që për mua janë shumë të rënda. Me lejoni që të mbështes edhe një herë punën tuaj dhe për seriozitetin që keni treguar deri më sot”, tha Peza.
Kryeprokurori para raportimit
Fati i kallëzimeve penale, për zyrtarët e lartë që kanë fshehur pasurinë apo që kanë bërë deklarata të rreme, pritet të jetë kryefjala e raportimit të kryeprokurorit, Adriatik Llalla, në Komisionin e Ligjeve, në ditët në vijim. Paralajmërimi ka ardhur nga anëtarët e Komisionit të Ligjeve. Nisur nga konstatimet në raportin vjetor të ILDKP, deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, tha se kryeprokurori do të pyetet në lidhje me fatin e dosjeve të pasurive. Deputeti socialist, duke iu referua raportit vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme, bëri edhe një bilanc paraprak të prokurorisë sa i takon procedimit me 84 kallëzime penale për fshehje pasurie.
Diskutime rreth kësaj post