Ambasada e Britanisë së Madhe në vendin tonë e nis vitin e ri me një mesazh për të gjithë shqiptarët që duan të largohen për në Angli, duke i kujtuar atyre masat që janë ashpërsuar nga qeveria e Rishi Sunak.
Me anë të një postimi, ambasada sjell në vëmendje rreziqet që mund të vijnë nga emigracioni i paligjshëm në Britani, ndërsa thotë se është rritur edhe periudha e burgimit.
“Mbretëria e Bashkuar ka ashpërsuar dënimet, ka rritur periudhën e burgimit dhe po dëbon më shumë shqiptarë që udhëtojnë në Britani në mënyrë të paligjshme.
Shumë shqiptarë po dëbohen nga Mbretëria e Bashkuar sepse kanë udhëtuar në mënyrë të paligjshme. Ti mund të jesh një nga ata”, thuhet ne mesazhin e ambasades.
Rreziqet e udhëtimit të jashtëligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar me anije ose kamionë
Shumë njerëz kanë vdekur ose janë lënduar rëndë duke u munduar të udhëtojnë drejt MB-së me anije të vogla ose kamionë – duke përfshirë edhe fëmijë.
Rreziqet e udhëtimit drejt MB-së me anije të vogla përfshijnë:
-kushtet e detit ndryshojnë shpejt – anija mund të përmbyset apo të zhytet
-ju mund të bini në det dhe të mbyteni – kjo mund të ndodhë brenda disa minutave pasi uji është shumë i ftohtë
-anija mund të prishet gjatë udhëtimit – anijet që ofrojnë kontrabandistët shpesh janë të papërshtatshme për udhëtime të gjata
-anija juaj mund të goditet nga një anije më të madhe – deti mes Anglisë dhe Francës është zona me trafikun më të madh detar në botë
Rreziqet e udhëtimit drejt MB-së të fshehur në një kamion përfshijnë:
-mund të shtypeni teksa mundoheni të kapeni në një mjet në lëvizje
-rrezikoni të vdisni të ngrirë brenda një mjeti frigoriferik
-mund të mbyteni lehtësisht nga mungesa e ajrit në një kontejner ose kamion mallrash të mbyllur
-mund të lëndoheni nga sende që mund të bien sipër jush
-mund të rrëzoheni në rrugë ose poshtë kamionit
Çfarë ndodh nëse vini në Mbretërinë e Bashkuar nga një shtet i sigurt
Nëse arrini shëndoshë në MB, mund të mos mundni të qëndroni. Nëse arrini në MB nga një shtet i sigurt dhe bëni kërkesë për azil, kërkesa mund të mos merret në konsideratë.
Procesi i azilit në MB nuk ofron më shumë avantazhe sesa proceset e azilit të çdo shteti tjetër evropian dhe ju duhet gjithmonë të kërkoni azil në shtetin e parë të sigurt që arrini.
Nëse ia dilni të arrini në MB, realiteti mund të jetë i ndryshëm nga ai që prisni, për shembull:
Azilkërkuesit mund të lejohen të punojnë në MB vetëm nëse nuk është marrë një vendim për kërkesën e tyre për më shumë se 12 muaj. Kjo duhet të jetë për arsye që nuk varen prej tyre. Nëse ju jeni në gjendje të punoni, mund të kryeni vetëm punët e afishuara në Lista e mungesave profesionale.
Angazhimi në punë në MB pa pasur të drejtën për të punuar përbën vepër penale. Emigrantët që punojnë në mënyrë të jashtëligjshme mund të burgosen deri në 6 muaj. Pagat nga puna e jashtëligjshme mund të sekuestrohen si të ardhura nga veprimtari kriminale nëse dikush ka informacione ose arsye të mjaftueshme për të besuar se një person është duke punuar në mënyrë të jashtëligjshme.
Nëse zbulohet se një punëdhënës ka punësuar dikë në mënyrë të jashtëligjshme, punëdhënësi mund të gjobitet ose mund të përballet me ndjekje penale.
Vetëm personat me statusin e emigrantit të ligjshëm mund të marrin me qira një akomodim privat. Dhënia me dijeni e një prone me qira një emigranti të paligjshëm nga pronarët ose agjentët përbën vepër penale.
Emigrantët e jashtëligjshëm në MB nuk kanë akses në fondet publike. Gjithashtu, atyre pa statusin e emigrantit të ligjshëm mund t’u kërkohen pagesa nëse kanë nevojë për trajtim spitalor ose për kujdes shëndetësor dytësor gjatë kohës që janë në MB. Pagesat e pashlyera të trajtimit mjekësor mund të rezultojnë gjithashtu në refuzimin e kërkesave të tjera për emigrim.
Shërbime të tjera, si llogaritë bankare dhe lejet e drejtimit janë gjithashtu të kufizuara nëse ndodheni në MB në mënyrë të jashtëligjshme.
Nga data 1 janar 2022, ju do të merreni në konsideratë për t’u zhvendosur në Ruandë nëse udhëtoni në mënyrë të jashtëligjshme drejt MB-së dhe keni udhëtuar përmes ose keni një lidhje me një shtet të sigurt.
Personave të zhvendosur në Ruandë do t’u përpunohet kërkesa për azil atje. Ruanda do të mbajë përgjegjësi të plotë për ta.
Personat të cilëve u refuzohen kërkesat për mbrojtje, do t’u ofrohet mundësia për të qëndruar në Ruandë ose për t’u kthyer në vendlindje – ata nuk do të kthehen në MB pasi Ruanda të ketë vendosur për kërkesën e tyre.
Nuk ka një limit për numrin e personave që mund të zhvendosen në Ruandë.
Sanksionet dhe dënimet me burg
Mbretëria e Bashkuar gjithashtu është duke forcuar sanksionet dhe duke parashikuar vepra të reja penale për personat që hyjnë në territorin e saj në mënyrë të jashtëligjshme. Do të konsiderohet vepër penale hyrja me vetëdije në MB pa një leje të vlefshme hyrjeje, kur kërkohet një leje e tillë. Mund të përballeni me deri në 4 vite burg dhe të zhvendoseni në një shtet të sigurt nëse mbërrini në mënyrë të jashtëligjshme.
Nëse kapeni duke ndihmuar kontrabandistët e njerëzve, për shembull duke vozitur anijen ose duke ndihmuar njerëz të tjerë që të paguajnë kontrabandistët, qeveria e MB-së mund të nisë procedim penal ndaj jush. Ju mund të përfundoni në burg para se të largoheni në një shtet të sigurt.
Diskutime rreth kësaj post