Mbretëresha Elisabetë tha të mërkurën se prioritet i qeverisë ishte të sigurohej marrëveshja më e mirë e mundshme për Britaninë, ndërsa ajo largohet nga Bashkimi Europian.
“Qeveria është e angazhuar për të punuar me Parlamentin, bizneset dhe të gjithë faktorët për të ndërtuar konsensusin më të gjerë të mundshëm për të ardhmen e vendit jashtë Bashkimit Europian. Qeveria do të kërkojë të ruajë një partnership special me aleatët europianë dhe të krijojë marrëdhënie të reja në të gjithë globin”, tha monarkja britanike.
Duke mbajtur fjalimin e saj tradicional, të përgatitur nga ministrat për llogari të saj, shefja e shtetit nënvizoi planet e qeverisë për dy vitet e ardhshme.
Fjalimi përmendte vizitën e pritshme shtetërore të mbretit Felipe dhe mbretëreshës Letizia të Spanjës, por nuk ndalej tek vizita e mundshme e Presidentit amerikan Donald Trump. Një zëdhënës i kryeministres May tha se vizita e Trump nuk ishte përmendur, pasi asnjë datë nuk është caktuar për të.
Mediat kanë raportuar ndërkohë, se Trump është në dilemë për vizitën për shkak të protestave masive të mundshme që mund ta presin atë në londër.
Qeveria britanike dhe Shtëpia e Bardhë nuk e kanë konfirmuar një gjë të tillë. I gjithë eventi, i njohur si hapja shtetërore e Parlamentit, ishte relativisht i një profili të ulët krahasuar me pompozitetin e zakonshëm. Mbretëresha nuk kishte veshur mantelin dhe nuk kishte vënë kurorë dhe kishte mbërritur në ndërtesën e Parlamentit me makinë dhe jo me një karrocë me kalë.
Diskutime rreth kësaj post