Presidenti Bujar Nishani, mblodhi pasditen e të premtes në Presidencë, Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ku u diskutua mbi situatën e kanabisit në vend.
Mbledhja e zhvilluar me dyer të mbyllura, nisi rreth orës 18:00 dhe përfundoi në 21:21, ku ishin të pranishëm kryeparlamentari Ilir Meta, zv.kryeministri Niko Peleshi, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i Drejtësisë Ylli Manjani, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ai i Jashtëm, Ditmir Bushati, ministri i Transporteve, Sokol Dervishaj, kreu i SHISH Visho Ajazi Lika, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe drejtori i policisë së Shtetit, Haki Çako.
Pas mbledhjes, Zëvendës/Kryeministri, Niko Peleshi deklaroi se në janar qeveria do të ketë gati strategjinë kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit në vend por, shtoi ai, debatet për të duhet të bazohen tek të dhënat zyrtare dhe jo tek perceptimet që i japin karakter politik.
Ai vuri në dukje se puna e deritanishme e policisë i ka dhënë rezultatet e saj, gjë që u vlerësua edhe nga Komisioni Europian në raportin për Shqipërinë, në bazë të të cilit rekomandoi hapjen e negociatave me Shqipërinë.
“Të ngremë në një nivel tjetër luftën kundër këtij fenomeni që nuk lindi sot e as do të mbarojë nesër. Brenda fundit të janarit do të hartohet një strategji integrale kundër kanabisit, duke mundësuar parandalimin e kultivimit dhe duke ofruar incentivë për të varfërit që shpesh kriminalizohen”, ka vijuar Peleshi.
Peleshi vlerësoi tryezën e sotme, duke deklaruar se sa më shumë të mblidhen kundër këtij fenomeni, aq më mirë.
Diskutime rreth kësaj post