Kryeministri Edi Rama inspektoi nga afër punimet që po bëhen për ndërtimin e mbikalimit në kryqëzimin e Rrugës së Kavajës me Unazën e Re, një segment që i jep zgjidhje trafikut në kryeqytet, duke e devijuar atë nga zona e qendrës. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se investimi po ecën sipas parashikimeve.
“Me 600-metërshin që po prokuron Ministria e Transportit, ne besojmë që deri në verë do e kemi përfunduar këtë segment, Sheshin “Skënderbej” dhe Bulevardin e Ri, që janë tre projektet kryesore të Tiranës në këtë moment dhe më emergjente”, deklaroi Veliaj.
Për kryeministrin Edi Rama, nëse gjërat do të ishin bërë në kohën e duhur sot situata në kryeqytet do të paraqitej ndryshe: “E rëndësishme është që u vu në vijë sepse ishte një nga projektet e bllokuara të Tiranës, njësoj si bulevardi, edhe ky për shkak të zvarritjeve dhe mungesës së një organizimi minimal në Bashkinë e Tiranës. Ajo që ndodhi me “Zogun e Zi” disa vite më parë, sot faktikisht është kthyer në një kosto shumë të madhe për qytetarët sepse në atë nyje duhet ndërhyrë patjetër, siç duhet tentuar një rimodifikim në nyjën tjetër te “Shqiponja”.
Rama njoftoi ndërhyrje në të ardhmen tek rrethrrotullimet e Zogut të Zi dhe sheshit “Shqiponja”, sikurse dhe investimin për pjesën tjetër të rrugës që lidh Farkën me zonën e Bregut të Lumit, vepra që së bashku me Bulevardin e ri dhe Sheshin “Skënderbej”, e vendosin në një bazë tjetër platformën e zhvillimit të infrastrukturës në Tiranë.
Diskutime rreth kësaj post