Kthesa e turizmit shqiptar, nga një sektor i preferuar kryesisht për vendasit dhe turistët vetëm në sezonin e verës, sot në destinacion gjithëvjetor i preferuar nga turistët e huaj nga e gjithë bota, pritet të japë një kontribut pozitiv gjithnjë e në rritje në ekonominë shqiptare, me efekt zinxhir në punësim, konsum, aktivitetet e hotelerisë, bizneseve dhe kohës për argëtim.
Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimit (WTTC) në raportin paraprak për vitin 2019 për ndikimin në ekonomi, parashikon që turizmi shqiptar do të rritet me ritme pozitive.
Kontributi i turizmit dhe udhëtimeve në prodhimin e brendshëm bruto (PBB) të Shqipërisë pritet që të jetë 27,3% për vitin 2019, me rritje 5,2% nga viti i shkuar.
“Rritja kryesisht reflekton aktivitetin ekonomik të prodhuar nga industritë si hotelet, agjentët e udhëtimit, linjat ajrore dhe shërbimet e tjera të transportit të udhëtarëve. Por ajo gjithashtu përfshin, për shembull, aktivitetet e restoranteve dhe industritë e kohës së lirë të mbështetur drejtpërdrejt nga turistët”, – citohet në raport.
Sipas WTTC, në vitin 2018 turizmi mbështeti në mënyrë direkte hapjen e 286 mijë vende pune. Kjo pritet të arrijë në mbi 300 mijë vende punë në 2019 dhe rritje me 1,4% në 111.000 vende pune (8,8% të totalit të punësimit) në vitin 2028.
Në vitin 2018, kontributi total i turizmit në punësim, duke përfshirë edhe vende pune të mbështetura në mënyrë indirekte nga industria, ishte 25,2 % të totalit të punësimit.
Eksportet e vizitorëve janë një komponent kyç i kontributit të drejtpërdrejtë i udhëtimeve turistike. Në vitin 2018, Shqipëria pati 264.8 milionë lekë të ardhura nga eksportet e vizitorëve dhe në 2019, pritet të rritet në mbi 6 milionë turistë ndërkombëtarë.
Raporti citon se, pjesa e udhëtimit dhe turizmit në investimet e përgjithshme kombëtare do të rritet nga 7,6% në 2018 në 8,2% në vitin 2028.
Diskutime rreth kësaj post