“Jorida Tabaku ka një detyrim statutor. Funksionari më i lartë drejtues i PD-së për momentin është n/kryetari i partisë, Jorida Tabaku”. Kështu deklaroi sot sekretari i përgjithshëm dhe njëherësh kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi. Në mbledhjen e sotme ishin vetëm një pjesë e deputetëve të grupit.
Por çfarë u vendos? I pyetur nëse është për një drejtim kolegjial të partisë apo që ta marrë në dorë një individ, Bardhi tha se statuti është i qartë. “Aktualisht statuti ka një parashikim, që partia drejtohet nga n/kryetari në mungesë të kryetarit”. Deputetja Jorida Tabaku, Enkelejd Alibeaj dhe deputetë të tjerë nuk ishin në mbledhje.
Por, çfarë mendon Bardhi për rikthimin e Lulzim Bashës? “Sa i përket kthimeve dhe rikthimeve sa kohë nuk ka asnjë qëndrim nga institucionet e partisë apo individë, unë nuk mund të flas paradhënie. Nuk e kam dëgjuar. Nuk ma ka rikonfirmuar”.
Deputeti demokrat tha se ka hartuar një platformë për bashkimin e PD-së dhe se nuk ka vija të kuqe për një takim apo diskutim me Sali Berishën. “Platforma do të jetë publike. Nëse ka apo jo vija të kuqe, pyetje suaj i kam kthyer përgjigje më shumë se njëherë. Unë nuk kam asnjë kompleks të ulem me cilindo.
Kur kam pranuar që të ulem me një tryezë me Edi Ramën nuk kam asnjë kompleks të ulem me cilindo brenda PD-së për rrugën më të mirë për të çuar përpara PD-në. Platforma ime është e thjeshtë, të forcojë PD-në. Një parti më të fortë dhe më moderne” tha ai.
Diskutime rreth kësaj post