Një grup i strukturuar vjedhësish profesionistë prej disa muajsh po zhvillon aktivitet kriminal në Qarkun e Elbasanit, duke vjedhur bizneset e mëdha në qendrat e qyteteve.
Gjatë kësaj prag mesjave, hajdutë profesionistë kanë vjedhur me thyerje një supermarket dhe një market mjaft të rëndësishëm në lagjen numër 1 të qytetit të Librazhdit. Vjedhja e këtyre bizneseve është realizuar me një shpejtësi të pabesueshme.
Banda e vjedhësve ka qenë tejet e organizuar në hapjen me thyerje të dyerve të bizneseve dhe në vjedhjen e mallrave me vlerë, që ndodheshin në to. Mënyra perfekte e realizimit të vjedhjes ka shokuar pronarët e këtyre bizneseve dhe policinë. Vjedhësit kanë arritur t’i koordinojnë veprimet në mënyrë perfekte dhe me një shpejtësi mjaft të madhe.
Në më pak se 3 minuta grupi i vjedhësve kanë arritur të hapin dyert e një supermarketi dhe të një marketi pa ju trembur rënies së sinjalit të alarmit dhe kamerave të shumta të sigurisë të instaluara në këto biznese. Pasi kanë marrë mallin nga bizneset, e kanë ngarkuar në automjete dhe janë larguar.
Paraprakisht bëhet me dije se vjedhja është kryer nga katër persona të maskuar, të cilët janë larguar së bashku me mallrat e vjedhura me dy automjete. Dyshohet se banda e vjedhësve ka qenë e armatosur dhe se automjetet e përdorura prej tyre kishin targa fallso. Ndërkohë, burime të besueshme thanë se vjedhja e kryer u ka shkaktur këtyre dy bizneseve një dëm prej disa mijëra euro.
Policia ka dokumentuar ngjarjen dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e vjedhësve të këtyre bizneseve. Pak muaj më pare, në Librazhd u rregjistruan disa vjedhje të tjera të bujshme, mes të cilave edhe vjedhja për herë të tretë e një argjendarie.
Rasti i fundit ka alarmuar pronarët e bizneseve në Librazhd, të cilat edhe pse janë me sisteme alarmi dhe kamera sigurie, ndjehen të sfiduara nga rrezikshmëria e paraqitur së fundi nga banda vjedhësish kaq të mirëorganizuara, që thuhet se kanë shtuar aktivitetin e tyre kriminal fuqishëm në Qarkun e Elbasanit prej fillimit të këtij viti.
Nga ana e saj, policia lokale nuk ka dhënë detaje për vjedhjet e fundit në bizneset e Librazhdit dhe ende nuk është e qartë se deri ku mund të jetë shtrirë veprimtaria e kësaj bande vjedhësish kaq të rrezikshëm.
Diskutime rreth kësaj post