Të gjithë shtetasit që kanë aplikuar për pasaportë në vitin 2014 të paraqiten në zyrat përkatëse për të tërhequr dokumentin e tyre.
Kjo është thirrja e lëshuar mëngjesin e të hënës nga zyra e shtypit e Ministrisë së Brendshme, që njofton se tërheqja duhet të bëhet brenda datës 30 Prill 2016, pas kësaj date të gjithë qytetarët nuk do të kenë mundësinë për ti tërhequr këto dokumente.
“Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje edhe njëherë të gjithë shtetasve shqiptarë, brenda dhe jashtë territorit të vendit, që kanë aplikuar për pasaportë në vitin 2014, të tërheqin pasaportat në sportelet e shpërndarjes, sa më shpejt të jetë e mundur, përpara datës 30 prill 2016”, niste njoftimi i Ministrisë së Brendshme.
“Pas kësaj date, nëse pasaportat nuk do të tërhiqen, atëherë sipas kontratës me firmën prodhuese “Aleat” shpk., kësaj të fundit i lind e drejta t’i asgjësojë këto dokumente, për shkak se ato konsiderohen automatikisht të pavlefshme”, sqarohet në njoftim.
“Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar nga ana e firmës zgjatjen e këtij afati deri në 30 prill 2016, në mënyrë që t’u krijojë mundësi shtetasve shqiptarë që kanë aplikuar, të nisin procedurat për tërheqjen e dokumenteve pranë sporteleve të shpërndarjes, ose pranë përfaqësive diplomatike ku kanë aplikuar”, shtohet në deklaratë.
“Ky apel u drejtohet kryesisht shtetasve shqiptarë në emigracion, duke sqaruar edhe njëherë se pas këtij afati, do të bëhet nxjerrja jashtë përdorimit/dëmtimi i dokumenteve të identitetit (letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike) të prodhuara në vitin 2014 dhe të pa tërhequra”, përfundon njoftimi.
Diskutime rreth kësaj post