Dy partitë kryesore politike zgjodhën të flasin për gjithçka, por jo për reformën në drejtësi. Mesa duket, palët kërkojnë të fitojnë sërish kohë, derisa të përshtasin një qëndrim përfundimtar, nëse ato janë të gatshme të nisin dialogun politik.
“Unë sot jam në Partinë Socialiste për reformën në parti. Për reformën në drejtësi, nesër në Kuvendin e Shqipërisë”, i është përgjigjur Fatmir Xhafaj pyetjes së gazetares së TCH.
“Edi Rama po sfidon çdo ditë qytetarët e vendit dhe të ardhmen europiane, duke refuzuar pastrimin e politikës nga krimi, e duke zgjedhur të ndajë pushtetin me banditë, trafikantë e vrasës”, është shprehur Enkelejd Alibeaj.
Burime të tjera në Partinë Demokratike thonë se, deri tani nuk ka asnjë reflektim për dialog nga Partia Socialiste dhe, në këto rrethana, opozita do të vazhdojë me axhendën e saj të marrëdhënies së kushtëzuar me Parlamentin.
Kjo situatë është krejt e ndryshme nga ajo e dy muajve më parë, kur u publikuan rekomandimet paraprake të Komisionit të Venecias dhe dy partitë e mëdha nxituan të bëjnë komente entuziaste.
“Kjo është harta e rrugës dhe Partia Demokratike zotohet që t’i përmbahet pikë për pikë rekomandimeve të Komisionit të Venecias”, tha në fund të vitit të kaluar Lulzim Basha, kreu i PD-së.
“Kaluan shumë kohë duke pritur që të ndahej treni. Tani hipën vet në tren dhe ky është një lajm shumë i mirë i fundvitit”, ka thënë Rama gjatë së njëjtës kohë.
Tani, një ditë pasi mediat, përfshirë edhe Top Channel, publikuan draftin përfundimtar të “Venecias”, dy partitë kryesore heshtën.
Burime i thanë TCH se, as Partia Socialiste, as Partia Demokratike nuk kanë qenë të interesuara për publikimin e këtij raporti, i cili vë në dyshim edhe investimin dypalësh amerikan në këtë reformë.
E vetmja heshtje që vlen flori, duket se është ajo e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Të dyja vërejtjet kryesore të saj janë marrë parasysh nga raporti i rekomandimeve të “Venecias”.
Diskutime rreth kësaj post