Transferimi i Mërgim Mavrajt nga Kolni në radhët e Hamunrgut në Bundesligë mund të konsiderohet fakt i kryer. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare ka kaluar me sukses testet mjekësore, ndaj dhe hedhja e të zezës mbi të bardhe është thjesht një formalitet. Kontrata e 30-vjecarit me Hamburgun do të ketë vlerë deri në verë të 2019-ës, pra për 2 vite e gjysmë, ndërsa 1.8 milionë euro do të shkojnë në arkat e Kolnit, ku kanë mbetur të befasuar nga vendimi i shqiptarit për t’u larguar. Më saktë ka qenë këmbëngulja e Hamburgut me një ofertë joshëse si për Kolnin ashtu edhe për Mavrajn, që ndikoi në këtë transferimit të papritur.
Vetë Mavraj ka pranuar se ka patur ofertë edhe nga Gallatasaray në kampionatin turk, por drejtuesit e Hamburgut kanë qenë më bindës në bisedimet mes palëve.
Skuadra veriore është e dyta e Bundesligës që ka pësuar më shumë gola në 16 javët e para të kampionatit, plot 31, duke shfaqur probleme serioze në fazën mbrojtëse. Eksperienca e Mavrajt, që i ka luajtur titullar të gjitha ndeshjet e këtij sezonin, pritet të ketë një ompakt të drejtpërdrejtë në vënien e ekuilibrave në fazën mbrojtëse në ekipin e tij të ri.
Hamburgu do të jetë ndalesë e katërt e Mavrajt në elitën e futbollit gjerman. Fillimisht mbrojtësi kuqezi ka spikatur me Bochumin, më pas u transferua te Greuther Furth ndërsa në verë të 2014-ës te Kolni. Pavarësisht pozicionimit aktual të Hamburgut në zonën e ftohtë, stacioni i radhës mund të jetë kulmi i karrierës së futbollistit, që ka qenë madje edhe pjesë e përfaqësueses së 21-vjecarëve të Gjermanisë.
Diskutime rreth kësaj post