Materniteti “Koço Gliozheni” ka hedhur poshtë akuzat e deputetit të PD, Bardh Spahia, i cili një ditë më parë deklaronte se 10 foshnja të sapolindura në këtë maternitet kishin humbur jetën për shkak të mungesës së inkubatorëve.
Përmes një deklarate për mediat, “Koço Gliozheni” sqaron se janë tetë raste muajt e fundit të lindur me anomali të rënda shëndetësore, të cilët nuk kanë mbijetuar, dhe jo për mungesë të inkubatorëve.
Deklarata e Maternitetit Koço Gliozheni:
“Në maternitetin Koco Gliozheni priten mbi 4 mijë lindje në vit në kushte optimale nga një personel mjekësor i kualifikuar; kryhen mbi 2500 intervente për patalogji obsetrikale dhe gjinekologjike të ndërlikuara me vdekshmëri amëtare Zero! Vdekshmëria nenonatale, përfshirë edhe këtë aktuale ka pësuar rënie nga vitit në vit.
Në lidhje me statusin e publikuar sot në rrjetet sociale, Materniteti “Koco Glozheni” ju bën me dije se në këtë spital, nuk ka pasur humbje jete të neonatëve për shkak të mungesës së inkubatorëve apo mirëmbajtjes së tyre. Repartit të Reanimacionit, me investimet e kryera vitet e fundit, i janë shtuar dhe 4 inkubatorë të rinj.
Por çdo mjek e di se, ashtu si në çdo maternitet, paraqiten raste të anomalive të papajtueshme me jetën. 8 rastet e trajtuara gjatë muajve të fundit kishin anomali të rënda si kardiopati kongenitale, hidrops fetal, transfusion feto-fetal, me peshë 800-850 gramë dhe me moshë barre nën 26 javë, për të cilët ekipi i kualifikuar i mjekëve tanë bënë përpjekjet maksimale për trajtimin e tyre, por janë anomali të rënda, të papajtueshme me jetën, që fatkeqësisht ndodhin në të gjitha strukturat shëndetësore edhe në rajon, Europë.
Ekipi i Maternitetit “Koço Glozheni” mbetet i përkushtuar në ofrimin e shërbimeve me standarde të larta në kujdesin ndaj nënës e fëmijës dhe u lutet mediave që të japin ndihmesën e tyre të vyer, duke mos lejuar përhapjen e lajmeve të rreme apo qëllimisht të deformuara në rrjetet sociale”.
Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia denoncoi se në Maternitetin i ri kanë ndërruar jetë 10 bebe të sapolindur, brenda 10 ditëve të muajit që sapo kemi nisur. Sipas deputetit Spahia, në këtë pavion kanë gjetur vdekjen 3 fëmijë në 24 orët e fundit për shkak të problemeve me inkubatorët.
“Situate e rende ne pavionin e Neonatologjise te Materniteti i Ri. Nuk ka inkubatore dhe poste per oksigjenimin e femijeve. Jane gjithsej 13 burime oksigjeni per 19 femije neonate qe kane nevoje e si pasoje e mungesave behen lidhje dyshe; 1 inkubator per 2 neonate.
Per 30 ore si pasoje e ketyre kushteve ka pasur 5 vdekje neonatesh nga keto 3 vdekje ne 24 oreshin e fundit. Per muajin janar jane 10 raste te tilla fatale dmth 1 rast ne dite. Kur situata paraqitet e tille ne Tirane as nuk mund ta imagjinoj cfare ndodh ne rrethe”, shkruan Spahia një ditë më parë në rrjetet sociale.
Diskutime rreth kësaj post