“Gjuetia” për të kapur 34-vjeçarin shqiptar Klodi Lesi, i cili vrau tre ditë më parë gruan greke, vazhdon.
Autoritetet e shtetit fqinj kanë përqendruar kërkimet në Greqinë e Veriut, ndërsa pasi goditi 7 herë më thikë gruan, 34-vjeçari shqiptar mori një nga fëmijët dhe u largua.
Ditën e djeshme policia greke ka gjetur një motoçikletë në fshatin Psakoudia, jo shumë larg Halkidiki-së dhe autoritetet besojnë se është i Klodi Lesit. Ai e kishte mbuluar me shkurre për të fshehur gjurmët, ndërsa në këtë vend janë gjetur edhe disa kuti bosh ushqimi si dhe ilaçe.
Pas kësaj policia ka nisur krehjen e zonës edhe me qen nuhatës. Edhe banorët kanë dalë në ndihmë të policisë, pasi fëmija që ka marrë me vete shqiptari është i sëmurë.
Ndërkohë ish-vjehrri i tij i ka bërë thirrje që të dorëzojë fëmijën.
Pavarësisht se i ka vrarë vajzën, ai ka thënë në një intervistë për gazetën greke “Protothema” se e ka falur, por vetëm të lërë të lirë nipin, pasi sipas tij i rrezikohet jeta nga sëmundja.
“Unë dridhen për nipin tim”, ka deklaruar Haralambos Mavromatis.
Klodi Lesi vrau gruan e tij greke pasi kjo e fundit e largoi nga biznesi familjar dhe prej një viti ata ishin të ndarë.
Diskutime rreth kësaj post