Nga Andi Bushati
Pak a shumë në të njëjtën kohë kur Edi Rama, me ngjyra farfuritëse, me ekrane gjigandë dhe me slidera vezullues po prezantonte shpikjen e tij më të fundit, “platformën e bashkëqeverisjes me qytetarët”, një nga gazetarët që prej një dekade e ka mbështetur më shumë se kushdo tjetër, Mero Baze, kishte botuar një shkrim ku e akuzonte me nota të ashpra kryeministrin.
Ndërsa i pari shpjegonte përpara mediave, se si qytetarët duhet të kishin besim tek kjo qeveri, duhet të denonconin nënpunësit e administratëës që abuzonin me detyrën, zyrtarët që u kërkonin ryshfet, i sorollasnin apo shkelnin ligjin, i dyti ngrinte gishtin mbi një kryeministër që ishte i aftë të fuste fukarenjtë në burg, por që përkulej përpara biznesmenëve batakçinj.
Baze në shkrimin e tij shkonte dhe më larg. Ai bënte thirrje që ndërtimet e ngritura si pasojë e lidhjes okulte të shefit të qeverisë me njerzit që paguajnë nën dorë, mund të ndalen vetëm me një mënyrë: duke u vënë tritolin (lexo shkrimin poshtë).
Nisur nga këto akuza të forta u interesova të kuptoj se çfarë e kishte sjellë këtë përplasje. Në fakt nuk qe e vështirë. Tani informacionin e gjen në shumë portale dhe alarmin e kanë ngritur mjaft aktivistë të shoqërisë civile.
Fjala është për një ndërtim tërësisht pa leje, me puntorë të fshehur si klandestinë, që pronari i ujit Trebeshina po bën në një nga mrekullitë e mbetura mbi derdhjen e Vjosës, pikërisht në grykën e Këlcyrës.
Dhe dyshimi se ai ka marrë viston tek timonieri që luan aktorin e bashkëqeverisjes me popullin, i bën të kthehen mbrapasht para paligjshmërisë: edhe INUV-in, edhe policinë, edhe autoritetet e provincës.
Por, po të informohesh në krahun tjetër, pra nga njerëzit e zyrës së kryeministrit, ata e kanë gati alibinë.
Me pak fjalë ata pretendojnë se situata nuk është tamam ashtu sikurse thotë Baze, se ai është subjektiv në këtë çështje, se as që mund të mendohet se Rama është paguar nga biznesmeni, se atij çështja i është relatuar si e rregullt nga kabineti i vet.
Pra e thënë troç, qëndrimi është i njëjtë si në të gjitha kazuset e mëparshme të këtij lloji, që nga vilat e oligarkëve në bregdet, që nga grataçielat në Tiranë, e deri tek prishja e asamblit të Gerardo Bosios për të ngritur një kullë me stadium: “Ne do vazhdojmë përpara, sepse nuk dëgjojmë shpifjet e mediave të kazanit”.
Se ç’interes ka botuesi i gazetës Tema, ai që ka lujtur rol më shumë se kushdo për rënimin e qeverisjes së Berishës, që ka luftuar për ngritjen e Ramës në pushtet, madje ka gjetur mënyrën ta amnistoje edhe për shumë nga mëkatet e tanishme, të futet në kazanin e kritikëve, opozitërëve dhe atyre që janë xhelozë për “sukseset” e Ramës, kjo është vështirë të kuptohet.
Por, ajo që meret mend me lehtësi është se kështu trajtohet çdo vëzhgim, çdo denoncim dhe çdo kritikë që mund të bjerë ndesh me paktet që lideri i bashkëqeverisjes me qytetarët, ka bërë me njerzit e biznesit.
Në këtë kuptim, sado e dhimshme të jetë masakra që po ndodh në grykën e Këlcyrës, ajo është vetëm një mikro ilustrim i asaj që po ndodh në të gjithë Shqipërinë.
Nga ana tjetër, ajo është edhe prova me e qartë se përse show si ato që me ngjyra farfuritëse dhe ekranë gjigandë që ftojnë qytetarët të denoncojnë, krimet, abuzimet dhe korrupsionin janë të dëstinuara të dështojnë.
Ç’do qytetar që do merrte guximin të ngrinte një problem në portalin e sapo inaguruar me bujë rrezikonte të etiketohej njësoj, si Lulzim Basha, Fatos Lubonja, apo tani së fundi edhe Mero Baze.
Sepse në vendin ku për çdo mëkat vendos timonieri, askush nuk mund të presë zgjidhje prej tij. Të shpresosh të kundërtën është njësoj sikur besosh se mund t’i varen Ramës mëlçitë në qafë.
Diskutime rreth kësaj post