Janë 33 punonjës që paguhen në spitalin veterinar të Kombinatit, me financim të Bashkisë Tiranë, por që kjo strukturë aktualisht e ka ndërprerë punën për të cilën u krijua.
Burime konfidenciale na kanë informuar se ka kohë që spitali veterinar në zonën e Kombinatit nuk po kryen më sterilizime të qenve pa pronar që habitatin e tyre e kanë në rrugët dhe lagjjet e Tiranës.
Por mbrëmjen e sotme, emisioni “Stop” në TV Klan ka denoncuar me pamje filmike atë që po ndodh. Pamjet e mëposhtme janë vërtetë të rënda, ndërsa tregojnë sesi qentë endacakë mblidhen dhe vriten përmes acidit të baterive të makinave duke ua injektuar atë.
Prill 2017
Aktivisti – xxx, e mo..!
Roja i Sharrës – Hëëë, ç’bone?
Aktivisti – Si je ti? Si kalove?
Roja i Sharrës – Mirë!
Aktivisti – Eee, shumë erë e keqe mbaka këtu, o burrë! Ça janë gjithë këto qen?!
Roja i Sharrës – Këto të bashkisë.
Aktivisti – Mbaka erë e keqe shumë, o burrë!
Roja i Sharrës – Ka një javë, dy…
Aktivisti – Ëëë…
Roja i Sharrës – Ka një javë a dy që i kanë hedhur qentë.
Aktivisti – Çfarë flet oo?! Po paska sjellë shumë. Ça bëhet?!
Roja i Sharrës – Pooo, tani s’ka sjellë më… këto nja dy ditë.
Aktivisti – Ça thu ti, mo vëlla?! Sa ditë u bënë që s’kanë sjellë më?
Roja i Sharrës – Këto kamionçinat që janë portokalli.
Aktivisti – Ëëëëë i bien këto kamionçinaaat?
Roja i Sharrës – Pooo!
Aktivisti – Ëëëëëëëëë, mbaka shumë erë e keqe mo burrë! Seç dreqin i vrasin këto qentë, pash Zotin!
Roja i Sharrës – Janë kalbësira mo! I vrasin andej rrugëve.
Aktivisti – Ëëëë…
Roja i Sharrës – I vrasin nëpër qytet rrugëve, mo burrë.
Aktivisti – Po pse i lini t’i hedhin këtu në Sharrë mo burrë?
Roja i Sharrës – Po s’i kemi parë.
Aktivisti – S’i kemi parë. A janë të bashkisë ato?! Ato nga bashkia vijnë.
Roja i Sharrës – Janë me autorizim bashkie, ça me i bo ne?!
Aktivisti – Janë me autorizim bashkie? Po gjynaf, mo vëlla! A nuk janë gjynaf gjithë këto qen?!
Roja i Sharrës – Gjynaf janë, po ato i kanë pastru andej rrugëve, kanë autorizimin dhe shkarkojnë.
Aktivisti – Ëëëëëë…
Roja i Sharrës – Po!
Aktivisti – Pooo, kur vjen ajo makina tjetër?
Roja i Sharrës – Vallahi unë njëherë në tre net vij se jam me turne.
Aktivisti – A, je me turne ti?!
Roja i Sharrës – Poo.
Aktivisti – Ëëë….shiko o xxx, do më bësh një nder mua?
Roja i Sharrës – Ëëë…
Aktivisti – Do më bësh një nder vëllait tënd?
Roja i Sharrës – Çfar nderi?
Aktivisti – Po qe se vjen ajo makina portokalli ose jeshile, ma bëj një zile mo vëlla s’të le pa gjë. Do ta jap një kafe vëllai ty.
Roja i Sharrës – Po mooo!
Aktivisti – Ëëë.
Roja i Sharrës – Po mo! S’bëhet llaf!
Aktivisti – Mirë, mirë!
Ambientalisti dhe aktivisti i mbrojtjes së natyrës dhe të drejtave të kafshëve, Sazan Guri tregoi se të njëjtin qen që ka fotografuar në mëngjes në rrugët e Tiranës e ka parë më pas në qese të zeza, gati për t’u hedhur në landfillin e Sharrës. Ai rrëfen se e ndoqi të gjithë situatën, që prej qendrës së trajtimit në Kombinat, që sipas tij, në fakt është “Auschwitz”.
Sazan Guri tregoi se ka kryer kallëzim penal ndaj Klinikës Veterinare të Bashkisë, në Kombinat dhe se është gati për t’u ballafaquar me Bashkinë e Tiranës lidhur me këtë fenomen.
“Një komb i zhvilluar matet sesi ai sillet me kafshët e natyrën në përgjithësi, por me qentë në veçanti sepse qeni në tokë dhe delfini në det janë dy kafshët më besnike, më të afta, më të dashura, aspak xheloze”, e përmbylli ambientalisti.
Diskutime rreth kësaj post