Sekretari i Brendshëm britanik, James Cleverly, i sapo zgjedhur në këtë detyrë, tha në një intervistë për BBC se transferimi i emigrantëve të paligjshëm drejt Ruandës duhet të finalizohet, edhe pse diçka e tillë u kundërshtua nga Gjykata e Lartë Britanike.
Cleverly mori shembull marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe asaj britanike sa i përket emigracionit të paligjshëm, për të cilën tha se ndikoi në uljen e ndjeshme të numrit të shqiptarëve ilegale drejt Britanisë.
“Në Europë ne shohim një rritje të mbërritjes së emigrantëve të paligjshëm ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar, mbërritja e emigrantëve të paligjshëm ka rënë me një të tretat. E gjitha kjo po ndodh falë marrëveshjeve që kemi bërë me vende të ndryshme për kthimin e emigrantëve të paligjshëm. Më lejoni t’iu jap një shembull të shkëlqyer sa i përket marrëveshjes që kemi implementuar me Shqipërinë. Numri i emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë me varka në Britani ka rënë me 90 për qind. Planet tona po funksionojnë”, theksoi Cleverly.
Gjatë intervistës, sekretari i Brendshëm britanik insistoi në idenë e qeverisë së tij për të vijuar me planin e transferimit të emigrantëve të paligjshëm drejt Ruandës, duke arsyetuar se vendi i Afrikës Qendrore është një vend i sigurt. Më herët, kryeministri britanik deklaroi se ata do të dorëzohen mbi idenë e Ruandës, vetëm nëse do të ketë një vendim kushtetues nga Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg.
Diskutime rreth kësaj post