Armand Shkullaku ka komentuar po ashtu në një intervistë për Mapo, zërat për një bashkëqeverisje të mundshme Rama-Basha pas 25 qershorit.
Ai thotë se ata janë bashkuar për interesa meskine, pas presionit të Metës ndaj Ramës, që tani mbeti pa gjë.
Pse fushata aktuale është një fushatë e pangjashme dhe a është lufta ndaj LSI e vetmja gjë e vërtetë e saj?
Nuk ka dyshim që kjo fushatë po zhvillohet e gjitha nën shenjën e marrëveshjes Rama-Basha dhe kjo e bën atë të pangjashme me fushatat e mëparshme, kur dy partitë e madha garonin për të qenë secila fituese dhe jo për të fituar të dyja së bashku.
Është e vështirë të bësh një fushatë të vërtetë elektorale, kur e di se qeverisja e ardhshme nuk do të jetë aq produkti i votës se sa i një marrëveshjeje paraprake. Si Rama ashtu edhe Basha po tregojnë se shqetësim kryesor kanë të ruajnë njëri-tjetrin për të mos kaluar vijën e kuqe të akuzave e sulmeve reciproke, gjë që do t’ua vështirësonte në planin moral qeverisjen me bazë të gjerë. Basha do të ndihej në siklet në krah të “Noriegës” (ndjesë pastë) dhe Ramës do t’i duhej shumë ujë për të kapërdirë aleancën me përgjegjësin e 21 janarit, abuzuesin e rrugës së Kombit, tradhtarin që i fali detin Greqisë etj…
Prandaj këtë retorikë nuk do ta dëgjojmë në këtë fushatë. Palët po flasin për Shqipërinë, për republikën e re, për ngjyrat kuqezi, Rama ngre dy gishta dhe Basha përshëndet me grusht. Ata po përpiqen të ndërtojnë fabulën e një Interesi të Madh, që prevalon mbi interesat partiakë, po mundohen të krijojnë terrenin për një pakt të të mëdhenjve në emër të “shpëtimit” të Shqipërisë, që do t’ua lehtësonte, në sytë e votuesve të tyre, vendimin bizar për të qeverisur së bashku.
Edi Rama për shembull, më shumë po iu drejtohet demokratëve që ta pranojnë edhe si kryeministër të tyre, se sa socialistëve. Ai po u thotë se do të punojë edhe për ta dhe se u ka bërë nder që nxori Bashën nga çadra dhe po e fut në gjirin e tij. Demokratët do ta kenë kryeministër të tyre, por nuk duhet të dëshpërohen sepse ai do t’u hapë një vend në makinën e tij. Gjithnjë në emër të interesit kombëtar.
Për Ramën, Basha është pak dembel por është djalë i mirë që ia vlen t’ia pish dollinë. Ndërsa për Bashën, Rama është kryeministri që nuk ka mbajtur premtimet por jo më simboli i krimit, korrupsionit, drogës dhe rrënimit ekonomik të shqiptarëve.
Pra, marrëveshja për të qeverisur bashkë nesër, ka prodhuar sot këtë fushatë të çuditshme, e cila po synon t’i orientojë shqiptarët drejt vendimit të dy individëve dhe jo drejt zgjedhjes mes dy alternativave. Dhe për ta bërë të ngrënshme këtë gjellë, duhet patjetër të gjendet një “viktimë”.
Pyetjes normale që do të bënte çdo shqiptar, se përse një pakt i tillë që i shërbeka Shqipërisë nuk është bërë më parë, përse deri dje PS dhe PD janë sjellë si ujqër mes tyre për të gëlltitur të vetëm copën e majme të pushtetit, si Rama ashtu dhe Basha, i kanë gjetur një përgjigje: Fajin e ka LSI.
Sigurisht që LSI ka pjesën e saj të fajit, si dje me PD ashtu dhe sot me PS, por është qesharake të lash duart nga përgjegjësia e atij që ka pjesën e luanit në qeverisje duke treguar me gisht atë, të cilit gati i ke rënë në gjunjë për t’i marrë votat që të bënin kryeministër apo që të mos hynte në zgjedhje e të bashkohej me çadrën. Të kalosh nga fajin e ka Saliu apo s’ka zgjedhje me Edi Ramën, tek e keqja më e madhe është Ilir Meta, i nxjerr më shumë se hipokritë dy burrat që kanë vendosur të qeverisin bashkë.
Kjo strategji e ka vendosur LSI në qendër të fushatës, kjo është e vërtetë, por nuk besoj se njerëzit mund të mendojnë se këtë herë PS dhe PD janë e keqja më e vogël dhe LSI e keqja më e madhe që duhet ndëshkuar për të shpëtuar Shqipërinë. E keqja janë të gjithë dhe, normalisht, kjo fushatë është shenja më e qartë që shqiptarët nuk kanë asnjë arsye për të votuar. Bojkoti do të ishte përgjigja më e mirë për këtë teatër mediokër, që duke ndërruar rolet, kujton se do të na bindë se do kemi një shfaqje të re.
Nëse deri dje votohej me arsyetimin e zgjedhjes së të keqes më të vogël, sot kjo e keqe nuk mund të zvogëlohet aq shumë sa të përfundojë te LSI dhe të amnistojë partitë e mëdha. Shqipëria po e degradon gjithnjë e më shumë sistemin e ashtuquajtur demokratik dhe këto zgjedhje po shënojnë një kulm.
Shqiptarët kanë qenë gjithnjë të zhgënjyer sepse deri më sot kanë votuar për ndryshim por në fakt kanë ndryshuar vetëm vendet në pushtet. Tani gjendet përballë alternativës që as vendet të mos ndryshojnë, se në pushtet paska vende për të gjithë. Pra, me votën e tyre ata po ftohen të sistemojnë ca njerëz në qeveri, që ata të mos bëjnë luftë me njëri-tjetrin, të mos presin radhën për të kalëruar kalin e pushtetit, por t’i hipin bashkë, të ndajnë interesat, tenderat, oligarkët, përfitimet… Nuk ka nevojë për sherr se tepsia ka vend për të futur lugën të gjithë. Prandaj kjo fushatë, gjëja e fundit që të bën të mendosh, është të shkosh të votosh.
A mund të arrijnë secila nga partitë PS ose PD të vetme, mazhorancën prej 71 votash dhe nëse jo, cilin koalicion paszgjedhor shihni të mundur, PS-PD, PS-LSI apo PD-LSI?
Më duket e pamundur që njëra nga partitë të marrë e vetme 71 mandate. PS po e synon fort këtë herë numrin 71 dhe kjo duket edhe në ftesat e pareshtura që Rama po iu drejton demokratëve që të votojnë për të. Pas marrëveshjes, Rama shpreson që shqiptarët të harrojnë bilancin e tij katastrofik në qeverisje dhe të argalisen me batutat në mitingje, dy gishtat lart dhe dashurinë e tij të re për Bashën. Nuk e di sa do të jetë efikase, por një gjë e them me siguri, se Rama ia ka dalë që fushatën ta orientojë atje ku ndihet më i fortë, te retorika dhe jo te ballafaqimi. Ramës i duhet numri 71 jo për të bërë qeverinë i vetëm, por që partneri i ri në qeverisje të mos e kushtëzojë, por të shkojë i përulur dhe ai të jetë “zemërgjeri” që e “mban me bukë”. Të shohim se kush do të pranojë ta luajë këtë rol.
Çfarë do e shtynte Ramën të bënte marrëveshje për të ndarë pushtet me Bashën kur mund ta bënte këtë me LSI që para zgjedhjeve?
Edi Rama donte dhe e kërkoi një marrëveshje të tillë me LSI, por Ilir Meta zgjodhi të luajë deri në fund për të fituar sa më shumë. Nganjëherë oreksi i madh të lë pa gjë. Pra Rama nuk është se nuk e donte LSI, siç mund të lërë të kuptohet tani, por nuk mundi ta garantojë koalicionin me Metën përpara zgjedhjeve.
Në këto kushte, edhe kur u gjend i vetëm në takimin e thirrur nga Duka dhe Mediu, Rama vendosi të bëjë një pakt me Bashën, i bindur se PS nuk do të humbte pikë te votuesit e saj. Përkundrazi, Rama mendon se PD mund të dobësohet prej kalimit të panatyrshëm nga rezistenca e çadrës te ndarja e drejtorive dhe ministrive.
Në perspektivën e afërt postzgjedhore, Rama llogarit të ketë avantazh të thellë ndaj PD dhe kështu t’i japë mundësinë vetes të zgjedhë nëse do të shkojë me Bashën apo Metën. Këta të dy, nëse do të duan të futen në shtratin e qeverisë, do të duhet të garojnë se kush do t’i dëshmojë më shumë devocion e dashuri liderit maksimal. Është ai që do të vendosë me kë do ta ndajë shtratin.
Ndërsa në perspektivë të largët, Rama do të pranonte të ndante pushtet me Bashën, duke synuar ndryshimin e ligjit elektoral, pra të shkohej në zgjedhje me prim duke eliminuar kështu kushtëzimin nga partitë e vogla dhe duke i dhënë të drejtën partisë së parë të merrte shumicën e vendeve në Kuvend. Duke parë historikun elektoral, por më shumë duke parashikuar kohë të turbullta brenda PD, Rama beson se ligji me prim i garanton jetë të gjatë në krye të vendit.
Cilat do të ishin efektet pozitive dhe negative të një koalicioni të madh pas zgjedhjeve?
Unë nuk shoh ndonjë efekt pozitiv. Më duket qesharake t’u japësh meritë se po bëjnë paqe apo po shtensionojnë vendin pikërisht ata që e prodhojnë konfliktin dhe tensionin. Është si të përgëzosh dikë që i vë flakën një ndërtese dhe në fund i hedh një kovë me ujë për ta shuar. Sigurisht që nuk besoj as te sloganet se kjo po bëhet për integrimin, reformat, rajonin, Europën, Amerikën, stabilitetin, ngrohjen globale, rilindjen e re apo republikën e rilindur. Është thjesht një llogari politike interesash meskinë.
Ndër efektet negative që pres, më kryesore është shumëfishimi i korrupsionit dhe mungesa e një kontrolli të fortë.
Diskutime rreth kësaj post