Deputeti i PD, Tritan Shehu, komentoi në edicionin e orës 19:00 me Armela Ferkon në Syri Tv marrëveshjen Kosovë-Serbi për dokumentet që lehtëson lëvizjen e lirë të qytetarëve nga të dyja anët e kufirit. Shehu deklaroi se të dyja palët janë tashmë në pozicione të njëjta dhe kemi të bëjmë me reciprocitet.
“I rëndësishëm është që zbatohet. Kemi një element reciprociteti në njohjen e dokumenteve të identifikimit të qytetarëve të Kosovës e Serbisë në të dy anët e kufirit njëlloj.
Deri tani s’ka qenë kështu. Një hap i cili i vendos të dy palët e qytetarëve në pozicione të njëjta. Ky është reciprociteti. Shtetet sovrane mes tyre kanë reciprocitet. Ky është një hap pozitiv.”-tha Shehu.
Deputeti demokrat tha se Kosova çdo ditë është nën kërcënimin e Serbisë ndërsa shtoi se është kjo e fundit që nuk njeh sovranitetin e Kosovës, por marrëveshjen e fundit e quan hap pozitiv.
“Vuçiç është betuar në këtë periudhë që s’do e njohë asnjëherë sovranitetin e Kosovës. Veprimi i fundit padyshim është një hap përpara për reciprocitetin mes dy vendeve.“-deklaroi Shehu.
Nëse mund të arrihet kështu zgjidhja mes Kosovës e Serbisë duke u ndalur tek këto elementë të vegjël, Shehu tha se Kosova s’duhet të tërhiqet nga kërcënimet e presionet.
“Fatkeqësisht nuk është realizuar njohja reciproke e sovranitetit të secilit vend. Serbia nuk pranon, por hapi që është bërë është pozitiv.
Përgatitet terreni për njohjen mes dy vendeve. Duhet të mbrojmë interesat tona, mos të tërhiqemi para kërcënimeve e presioneve. Partnerëve i duhen shpjeguar interesat tona.“-tha Shehu.
Me marrëveshjen e fundit, Shehu deklaroi se është pozitive që në dialogun Kosovë-Serbi të jetë pjesë edhe Uashingtoni ndërsa shtoi se situata është disi e çtensionuar.
“Paraqet qëndrimin amerikan në Ballkanin Perëndimor veçanërisht për marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë. SHBA dhe BE që negociojnë, duhet mirëpritur. Marrëveshja e fundit shmangu diçka, tregon një çtensionim të situatës.”-tha Shehu.
Diskutime rreth kësaj post