Nga Mero Baze
Marrëveshja mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, do të ketë një efekt afatgjatë mbi politikën shqiptare, për shkak se ka vulosur një ndarje përfundimtare të Partisë Socialiste me Levizjen Socialiste për Integrim. Kushdo që ka tentuar të bëjë parashikime për të ardhmen politike të Partisë Demokratike, ka vërejtur se ardhja e saj në pushtet do të ishte e vështirë, pa një ndarje përfundimtare të së majtës. Koalicioni i fundit PS – LSI, ishte dëshpërues për të ardhmen e së djathtës shqiptare, pasi e linte atë të pashpresë.
Kjo marrëveshje i jep një shpresë reale të djathtës shqiptare për disa arsye.
E para, ndan përfundimisht Partinë Socialiste nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Marrëveshja u realizua në kushtet e një presioni psikologjik dhe politik që LSI dhe PDIU vendosën të bëjnë kundër Edi Ramës. Përpjekja e tyre për të krijuar një opozitë të bashkuar kundër Partisë Socialiste, duke llogaritur faktin se Edi Rama do të dorëzohej ngaqë nuk bënte dot marrëveshje me PD-në, ishte në të vërtetë arsyeja kryesore që ne kemi sot një marrëveshje.
Nëse Petrit Vasili dhe Shpëtim Idrizi nuk do të kishin ndërmarrë dy ditë më parë, një aksion politik intensiv kundër Edi Ramës, duke paralajmëruar dorëheqjen e presidentit të zgjedhur dhe një koalicion kundër Ramës, ky i fundit ndoshta nuk kishte ndërmend as të shkonte tek takimi i partive, e jo më të bisedonte me Lulzim Bashën.
Por presioni i papritur dhe agresiv i ish- aleatëve të Ramës kundër tij, në formën e një ultimatumi, bëri që ai të shkonte me tuta në takim dhe t’i nxirrte ata jashtë loje. Biles shikohet qartë se ai i ka falur qeverinë Lulzim Bashës vetëm të pranonte idenë e zgjedhjeve pa koalicione.
Por kjo lëvizje nga ana tjetër bën një ndarje historike të LSI dhe PDIU me PS-në, edhe pse PS ka marrë kosto kombëtare dhe ndërkombëtare për mbështetjen e PDIU-së gjatë këtij mandati qeverisës.
Tani kjo histori ka përfunduar dhe duket se PS nuk ka më asnjë të ardhme me LSI-në dhe PDIU-në, ose mund të ketë me deputetë të veçantë të tyre.
Kjo është e gjitha një favor për Partinë Demokratike, pasi ajo ka më shumë shanse për një aleancë me këto parti dhe për një shumicë të re me to, në çdo rrethanë.
Së dyti, e djathta ka shanse të jetë në pushtet, jo vetëm me kundërshtarët e Edi Ramës, por dhe me vetë Edi Ramën. Në rast të një rezultati të ngushtë të PS-së, larg shifrës 71, ka më shumë shanse që PS të formojë koalicion të madh me PD-në për të bërë një qeveri afatshkurtër reformash europiane, se sa të hyjë në spiralen e shantazheve të partive të vogla, që duan Drejtoritë me lekë, për të rritur elektoratin dhe për të bastarduar qeverisjen. Ky është avantazhi i dytë i PD-së nga kjo marrëveshje.
Së fundmi, nëse PS-ja ja del të marrë vetë mbi 71 deputetë, çka parashikojnë dhe sondazhet, PD është e angazhuar në këtë marrëvshje, se do të marrë përsipër me PS-në reformën kushtetuese dhe reformën zgjedhore, çka mund t’i krijojë shanse përmes një sistemi të ri zgjedhor, ardhjes së saj në pushtet, pas ikjes së PS-së.
Ata që llogarisin sot sa ministra ka marrë Lulzim Basha apo sa Drejtori, janë duke bërë llogaritë e gabuara. Sot ai ka marrë vetëm të drejtën që të ardhmen politike ta llogarisë pa aleancën PS-LSI dhe pa parti të vogla nëpër këmbë. Kjo është shumë, dhe ndoshta më shumë se çdo gjë, që mund t’i kthejë shpresën të djathtës të vijë ndonjëherë në pushtet në Shqipëri. Dhe këtë nder ja ka bërë padiskutim sjellja shantazhuese e LSI-së dhe PDIU-së ndaj Edi Ramës. Duhet t’u jetë mirënjohës dhe atyre./tema
Diskutime rreth kësaj post