Nga Eva Gjura
Këto ditë, emri i Marko Bellos është artikuluar jo pak. Si ish-deputet dhe pjesë e strukturave të larta të PS-së, ai ishte një prej emrave që iu kundërvu Ramës pas humbjes së zgjedhjeve të 2009-ës, me të ashtëquajturën LMN-në. E tani që Blushi është riaktivizuar në oponencën e tij statutore ndaj Ramës, për Bellon është thënë se ai ishte ndër ata që Blushi e la, atë dhe të tjerë. Por Bello nuk mendon kështu.
Në një intervistë për tesheshi.com, si flet për zhvillimet më të fundit në PS-së, duke paralajmëruar dhe furtuna të tjera, siç është ajo e një platforme që po përgatin z.Mejdani e z.Lakrori për një PS tjetër nga ajo që po ofron Rama. Eshtë kritik i ashpër edhe me qeverisjen, por edhe pse ndihet njëfarë mllefi, nuk pranon se është i tillë, derisa nuk kursen as lëvdatat për disa reforma të ndërmarra….
Z.Bello, cili është angazhimi juaj aktual?
Që kur jam larguar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, jo me dëshirën time, në 2013-ën, jam fokusuar në jetën time private, në mësimdhënie në disa universitete ku kam kontakte me botën akademike, studentë, të rinj. Gjatë kësaj kohe nuk i kam humbur lidhjet me anëtarë të thjeshtë, por edhe ish-drejtues të Partisë Socialiste në vite, sidomos në qarkun e Beratit, të cilët shprehin një lloj zhgënjimi sepse prisnin shumë më tepër nga qeverisja. Jo thjeshtë për t’u rregulluar ata vetë dhe njerëzit e tyre, por në drejtim të rigjallërimit të vendit dhe stopimit të krizës ku e kishte lënë qeveria e kaluar.
Sot nuk jeni aktor i politikës, po spektator a jeni dhe sa?
Sigurisht që sot nuk jam aktiv në politikë dhe këtë ma bëjnë pyetje shumë njerëz, pse nuk aktivizohesh në Partinë Socialiste? Partia Socialiste ju e dini që nuk mblidhet më, forumet e saj nuk funksionojnë që kur ka fituar zgjedhjet. Tashmë po del një model i ri në Partinë Socialiste, sipas së cilës, meqë kemi fituar zgjedhjet le të fokusohemi tek reformat, punët e Partisë janë në rregull, s’ka pse të bëhen as zgjedhje dhe as të mblidhen struktura. Kështu që nuk funksionon më Partia Socialiste; praktikisht është një organizëm, i cili është paralizuar, por kjo nuk do të thotë se unë kam heshtur si qytetar, si në problemin e armëve kimike, por edhe në raste të tjera kur kam konstatuar padrejtësi, sidomos ndaj shtresave të varfra dhe të pambrojtura, ndaj kategorive sociale, të margjinarizuara. E kam ngritur zërin nëpërmjet rrjeteve sociale , të cilën herë pas herë edhe mediat e kanë marrë si referencë. Mund të flas më tepër, mund të jem më aktiv, por sigurish brenda këtyre hapësirave që kemi sot për të komunikuar; por kjo nuk zëvendëson kontaktet që unë kam çdo ditë me njerëzit , të cilët më kanë ndihmuar shumë për të kuptuar, pse nuk ecin punët në Shqipëri.
Së fundi, emri juaj është përfolur si një nga individët, ish-pjesë e grupimit të LMN-së, por që u “latë në baltë” nga Blushi, i cili i është rikthyer pozicionit si oponent i Ramës në parti. Ka patur vërtet “lënie në baltë”?
Me LMN-në ndodhi diçka e habitshme. Ne ishim organizuar në mënyrë spontane, nuk ishim vetëm katër ish-deputetë dhe z. Blushi, por ishte gati 1/3 e forumeve të Asamblesë së Përgjithshme ishte gati 25% e Kongresit që na mbështesnin, sepse ne kërkonim vetëm që të respektohej statuti i PS-së dhe nuk kërkonim “kokën e Ramës”, pra që duhej larguar Rama, por meqë ishte vendosur në statutin e partisë; dhe Rama më në fund çedoi duke u rikonfirmuar dhe duke u futur edhe njëherë në votim. Ishte normale që Rama të konfirmohej edhe njëherë në kongres dhe jo ta kalonte atë me fajin e ka Saliu dhe votat janë në kuti. Ky nuk na dukej një argument bindës. Sigurisht që pati mendime të ndryshme, sepse ju e dini që PS-ja filloi ta radikalizojë qëndrimin e saj, filloi greva e urisë dhe në këtë situatë u bë e vështirë që t’i tolerojë apo t’i lejonim vetes luksin të kishim një oponencë brenda opozitës.
Kërkesat ishin që tani duhet fokusuar përballë kundërshtarit që është Berisha dhe PD në pushtet. Këtu lindi edhe keqkuptimi midis grupit tonë dhe zërat u shtuan më tepër, sidomos pas faktit që katër nga ne u eliminuan dhe vetëm z. Blushi u konfirmua si deputet. Këtu lindën dyshime se ndoshta kishte ndonjë komplot. Nuk besoj se kishte ndonjë komplot. Z. Rama është mjeshtër i spekulimit, mjeshtër i intrigës dhe mund të ketë dhënë edhe ndonjë sinjal që Blushi ju shiti, ja kush është Blushi dhe për të na armiqësuar me të, por unë edhe për hir të së vërtetës e mirëkuptoj dhe Blushin, dhe për hir të së vërtetës i ruaj kontaktet miqësore me të, ashtu siç i ruaj me Malajn, Harasanin dhe Islamin.
Po ta vëresh sot të djeshmen LMN, vetëm Blushi është akoma aktiv në PS, si deputet e si anëtar kryesisë. Juve jo, Harasani iku në Amerikë, Islami kaloi në PD, Malaj gjithashtu u largua nga strukturat e PS-së. Si erdhi puna gjer këtu?
Kjo tregoi edhe njëherë atë që ne i trembeshim në 2009-ën, që PS-ja nuk kishte më filtra për të kontrolluar lidershipin, por gradualisht po shikonim me shqetësim se shumica e drejtuesve të PS-së, jo anëtarëve të thjeshtë, po mbështesin idenë që njëshi është i padiskutueshëm dhe t’i japim atij pushtetin, kështu që sovraniteti i një njeriu iu la në dorë një njeriu, dhe arritëm në pikën që z. Rama mund t’i ndryshonte emrin PS-së, mund të ndryshonte gjithë grupin parlamentar, mund të bënte çfarë të donte, sepse kishte rëndësi vetëm firma, vula, lista që ai do të përpilonte. Madje nga 2009-ta, ai këtë listë as nuk denjoi ta konsultonte me kryesinë siç e donte statuti i partisë. Kjo është e paimagjinueshme.
Madje edhe Fatos Nano si lideri historik i partisë nuk do të kishte guxuar kurrë të anashkalonte kryesinë e partisë dhe forumet e partisë siç është asambleja, për të mos thënë se çdo konferencë në rrethe zgjidhte kandidatët kryesorë për deputetë apo bashki dhe komunë. Dua të them që pyetja juaj pse arriti në këtë pikë kërkon kohë, por fakti është i rëndë, sepse Edi Rama diti të spekulonte të luante me interesat e njerëzve. Ata që ishin ambicioz jua ushqeu këtë duke shfrytëzuar postin e kryetarit të bashkisë me ndonjë leje ndërtimi, disa të tjerë i komprometoi dhe shumë, të tjerë i tulati duke iu treguar derën. Unë nuk pranova, më mirë pranova të ikja nga partia sesa t’i nënshtrohesha diktatit të Ramës.
Sigurisht që Edi Rama mezi priste sa të vinte dita për të larë hesapet me neve dhe kështu ndodhi derisa na eliminoi. Pse mbajti vetëm z. Blushi? Them se e ka bërë vetëm për diversion , por ndoshta edhe për faktin se me Blushin ka pasur edhe miqësi personale dhe Blushi do ta vinte në një pozitë edhe më të vështirë Ramën, megjithëse siç po e shikojmë sot duke sjellë Koço Kokëdhimën dhe koçot e tjerë, Edi Rama është duke e kthyer partinë në kukulla dhe njerëz pa zë, që nga Gramos Ruçi dhe deri tek socialistë që në vite kanë kontribuar në fitoren e PS-së dhe që sot janë kthyer thjesht pjesë e historisë së saj, sepse jua ka hequr zërin edhe figurën.
A ishte zgjidhje e drejtë ajo që bëri Islami, kalimi në një kamp politik më të cilin nuk e lidh asgjë?
Kjo është pyetje që ka të bëjë direkt më z. Islamin. Por për një gjë duhet të jemi realist, që z. Islami nuk ishte në PS-së, pasi ai ishte përjashtuar nga partia për shkak se mungoi në një votim që u bë në parlament, në një kohë që në parlament të tjerë kolegë tanë kishin votuar edhe kundër partisë dhe nuk ishin përjashtuar. Pra me zor prisnin që z. Islami të eliminohej nga z. Rama dhe u gjet ky sebep,ku në mënyrë krejt jodemokratike iu bë gjyqi një prej figurave më të rëndësishme që kishte kontribuar në këtë parti. Në momentin që z. Islami nuk ishte më pjesë e PS-së, sepse vetë grupi parlamentarë e përjashtoi, pastaj dhe ai si çdo qytetar bëri një zgjedhje që i takon vetëm atij që të japë shpjegime pse e bëri.
Vihet re se, si Malaj e si ju, gjithsesi keni qenë më të rezervuar në atë që mund të quhet mllef ndaj Ramës, për aq sa keni në dorë ta bëni, duke folur për media apo në rrjete sociale. Karakteriale kjo apo strategji?
Jo, them se ka të bëjë me individualitetin me karakterin e secilit prej nesh. Unë do ta mirëkuptoja zotin Rama, dhe nuk do të më mbetej fare qejfi dhe ia kam thënë edhe në sy, në një farë mënyre më bëri nder, sepse më ktheu lirinë. Kur je i organizuar në një parti politike, do apo nuk do t’i je i detyruar t’i nënshtrohesh votimit të shumicës dhe unë përgjithësish nuk kam dalë kundër vendimeve të partisë edhe kur në forume kam qenë kundër tyre. Kështu që kur nuk je më pjesë e një force politike je më i lirë të shprehesh mendimin tënd, sepse nuk po shkel as statut, as vendim shumicë, je një qytetar i lirë.
Sigurisht që, do të më kishte ardhur keq po të mos më donin më anëtarët e PS-së dhe qytetarët e thjeshtë me të cilët kam ruajtur raporte shumë të mira dhe nuk me mbetet fare qejfi kur e di që jam viktimë e ambicies, të karrierës, inatit zemërimit, quajeni si të doni, hakmarrjes se një individi. Kjo nuk do të thotë të mos kritikosh z. Rama se po ia bëj për inat, jo, sa herë ai gabon unë e kam kritikuar, qoftë në qëndrimin që mban për të mos u zgjedhur që është absurde, qoftë edhe në drejtim të disa reformave që për mendimin time janë të nxituara ose janë lënë përgjysmë. Ashtu siç kam pasur guximin të vlerësoj shumë reforma pozitive që ka ndërmarrë kjo qeveri , që është vendosja e rregullit që nga disiplinimi për të paguar energjinë elektrike. Por ama e kam ngritur zërin dhe do ta ngre vazhdimisht kur shikoj se disa trajtohen si të njerkës dhe disa trajtohen si të nënës.
Biznese të mëdha që nuk paguajnë energjinë elektrike ia hedhin me ryshfete, ndërkohe që qytetarë të thjeshtë kanë përfunduar dyerve të burgjeve madje kanë vrarë edhe veten nga depresioni. Natyrisht, jam edhe kundër mëshimit që i bënë Rama burgut, sanksionit, dhe dua që qytetarët të veprojnë me bindje për të zbatuar lighin dhe jo me frikë, sepse jemi në një sistem demokratik.
Sigurisht, kur qytetari shikon se nuk ka drejtësi, nuk ka ligj, kur shikon se ka korrupsion, kur shikon se nuk merr shërbimet nga agjensi të specializuar të qeverisë, atëherë është normale që ai do të zhgënjehet dhe kjo është edhe arsyeja që unë kam ngritur zërin shpesh herë. Sot, shumë qytetarë largohen të dëshpëruar, sepse ka humbur edhe ajo që është më e fundit: shpresa! Mjafton të kujtojmë që 100 mijë qytetarë u larguan drejt Europës dhe 200 mijë aplikuan për vizë amerikane. Ky është zhgënjim për gjithë klasën politike dhe për këtë mazhorancë që po hyn në vitin e tretë të qeverisjes.
Gjithsesi, a ka të drejtë Blushi në pretendimet e tij? Sepse, po ta shohësh me vëmendje, ai bën një ndërthurje të problemeve të brendshme statutore me mungesën e produktivitetit qeverisës, ku dhe Rilindjen e konsideron të dështuar?
Absolutisht që ka të drejtë. Por nuk është vetëm ai. Z. Meidani, z. Maqo Lakrori gjithashtu, po përgatisin një platformë për të kthyer PS-në tek socialistët dhe besoj se do ta bëjë publike në ditët që vijnë. Ka të tjerë qytetarë që në vite ia kanë dhënë votat PS-së dhe janë të zhgënjyer. Ata shokohen sesi një parti që ka pasur gjithmonë vlera që ka respektuar rregullat e lojës dhe statutin, që ka nxjerrë intelektualë të shquar, tashmë është katandisur në një parti që futi kriminelë në parlament dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi.
Kryesori është kryetari i partisë, sepse ai ka pasur në dorë listat, qoftë për të emëruar kandidatët për deputetë, qoftë ata për pushtetin vendor. Mendoj se tezat e z. Blushi janë të drejta. Ambicia e tij tashmë është bërë publike ai do të kandidojë. Secili nga ne ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet, aq më tepër zoti Rama që nuk kishte asnjë muaj në PS-së dhe u zgjodh, ju dha kjo mundësi në 2003-shin. Mesa duket, z.Rama nuk do të lejojë asnjëri si pasardhës së tij, do ta zgjedhë ai pasardhësin, ashtu siç bëri z. Berisha. Gjë që nuk ka qenë në kulturën e PS-së
Në pozicionin ku ndodheni, në distancë nga zhvillimet politike, vërtet, a po çalon diku qeverisja? Ç’po ndodh me skuadrën Rama, a ka vërtet shenja se diçka po rilind, apo…po rivdes?
Rilindja dështoi edhe si slogan, edhe si thelb. Tani po e shikoni se nuk po i referohen më Rilindjes. Edhe në disa takime që ka bërë z. Rama në kaudër të fushatës që me të drejtë z.Blushi e ka quajtur “fushatë e kryetarit të partisë për të mos kandiduar”, të bësh fushatë që të mos zgjidhesh, kjo është një absurditet që ndodh vetëm në Shqipëri. Ka zhdukur simbolet e Rilindjes, ka kthyer sërish grushtin e PS-së që e kishin hedhur diku në një cep. Ata e dinë që Rilindja ishte një fjalë e madhe, por prodhoi shumë pak, siç thotë populli, “u mbars mali dhe polli një mi!”.
Pse e them këtë? Së pari nuk ndaloi korrupsionin, përkundrazi u thellua më shumë. Sot ka ministra që akuzohen hapur me fakte dhe prova dhe nuk e di pse prokuroria nuk është vënë në lëvizje për të vënë para drejtësisë të gjithë ata për të cilët ka akuza konkrete, ose se ka indicie që janë prekur fondet publike. Qeveria nuk e ndaloi dot polarizimin e shoqërisë shqiptare. Që ata që janë më të varfër po shtohen dhe ata që janë më të pasur po pasurohen.
Dhe po ju citoj një shprehje nga një kolegu im, “se kjo qeveri po ndihmon në pasurimin e të pasurve nëpërmjet koncesioneve, po godet shtresën e mesme dhe ky është gabimi më i madh dhe po fut në burg të varfërit”. Me këtë nuk dua të them se çdo gjë është zi. Nuk dua të them se qeveria nuk është përpjekur; por shikoj një amatorizëm të theksuar, ministra që nuk janë ministra, por thjesht si inspektorë të një kryetari bashkie të madhe siç është Shqipëria.
Rama më shumë sillet si një kryetar bashkie që i intereson më shumë imazhi i jashtëm, te jetë ai pozitiv: mbjellja e një peme, rregullimi i një rruge, bërja e një shatërvani, bërja e një stadiumi; por të qeverisësh një vend që ka sfida të mëdha, qoftë integrimi , të fqinjësisë së mirë dhe të politikës së jashtme dhe të brendshme, duhet një qasje më gjithëpërfshirëse dhe jo një qeverisje amatore. Paratë e taksapaguesve po keq po qeverisen. Është si ai i zoti i shtëpisë që paratë i shpenzon vetëm për luks, e që mbetet pa ngrënë.
Çdo të bënte Marko Bello nëse do i besohej qeverisja e Shqipërisë në këtë moment?
Sigurisht kjo pyetje nuk është për mua, por në mënyrë hipotetike do të përgjigjesha se çdo njeri, jo vetëm unë, duhet ta dojë në radhë të parë vendin dhe te përkushtohet për këtë. Nëse niset nga kjo premisë, do të arrijë shumë më tepër suksese.
Emërimet diplomatike – është një tjetër pikë këtu ku ka mjaft kundërshtime kam parasysh këtu reagimet e znj. Dade, e cila nuk ka qenë shpesh herë dakord me shumë emra. Nuk kemi ne diplomatë karrierë?
Në programin e PS-së para zgjedhjeve, me diplomatë dhe ish-diplmatë organizuam tryeza përmes së cilave hartuam platforma me ambicjen për të ndërtuar një politikë të jashtme ndryshe dhe sidomos për një Ministri të Jashtme më funksionale, më profesionale, më vizionare. Dhe në esencë, politika e jashtme do të zbatohej në radhë të parë duke zbatuar ligjet; që do të thotë se nëse kishim një ligj që thotë se vetëm 20% do të vinin nga politika ose jashtë sistemit e 80% e emërimeve do të ishin me diplomatë karriere, kjo duhej zbatuar doemos.
Ndërsa kjo qeveri jo vetëm që nuk e stopoi ligjërisht këtë tendencë që ishte vënë re që në qeverisjen e Berishës – i cili i bëri selitë e ambasadave strehë për nipërit, mbesat e dhëndurët e politikanëve, e hoqi fare këtë tavan duke liberalizuar shërbimin e jashtëm në dëm të cilësisë, sepse dëmtoi diplomatët e karrierës, dekurajoi të rinjtë që mund të aplikonin për t’iu bashkangjitur shërbimit të jashtëm – por po shikojmë sot që në shërbimet diplomatike me shumë peshë janë çuar njerëz që nuk i plotësojnë kriteret minimale për një diplomat.
Për këtë jam i zhgënjyer. Sigurisht nuk mund të them më tepër, sepse zonja Dade është në Komisionin e Jashtëm dhe ka më shumë informacion, por me aq sa kam parë duhet të kemi parasysh edhe një shprehje, që “nëse politika e brendshme nuk është e mirë, mos prisni që politika e jashtme të jetë e mirë”. Dikur, një Ministër i Jashtëm i ka thënë kryeministrit të vet: “më jep një politikë të brendshme të mirë, të të jap një politikë të jashtme të shkëlqyer”. /tesheshi.com/
Diskutime rreth kësaj post