Mark Marku njoftoi ditën e sotme dorëheqjen nga posti i deputetit pa u ulur ende në karrigen e Kuvendit të Shqipërisë. Ka pasur një debat në rrjete sociale ku njëra palë e ka kundërshtuar këtë vendim, ndërsa pala tjetër thotë po ky qëndrim duhet mbajtur.
Publicisti Ilir Demalia në një intervistë televizive nuk la pa përmendur edhe dorëheqjen e Çomos nga radhët e PS-së të cilën e cilësoi të pajustifikueshme nga ana e saj. Për zotin Demalia dorëheqja e Çomos erdhi me kërkesë të Ramës. Përsa i përket dorëheqjes së Markut, Demalia tha se ai ka treguar një integritet dhe dinjitet dhe shpjegoi arsyet pse u largua.
“Duhet përmendur fakti që këtu kemi 2 dorëheqje, një nga Çomo e PS-së, në thonjëza dorëheqje sepse nuk ishte dorëheqje. Sipas burimeve të brendshme është një dorëheqje që ja ka kërkuar Rama për të futur Mimi Kodhelin, pra tregon që dhe PS e vetmja gjë që sot ka është se ka pushtetin, por është njësoj si PD-ja. Mark Marku në këtë rast ka treguar një integritet dhe dinjitet dhe shpjegoi arsyet pse largohet dhe unë i bashkohem arsyeve të Markut. PD dhe partitë shqiptare nuk janë grupime që përfaqësojnë interesa të përbashkëta të grupimeve të ndryshme ekonomike apo politike. Partitë shqiptare janë grupime klanore dhe kjo është arsyeja që ne nuk kemi mundur të krijojmë një minimun demokracie në Shqipëri.“-u shpreh Demalia.
Për Demalinë partitë shqiptare janë një turp dhe një grumbullim banditësh të mbrojtur me ligjin që bëjnë vetë banditët në Parlament.
“Dha dorëheqje edhe nga Këshilli Kombëtar. Po përse? Një njeri që ka një mendim ideologjik, një interes publik, që ka një interes shoqëror përse duhet të shkojë te PD-ja ose te PS-ja sot? Thjesht për t’u bërë një leckë e kryetarëve, thjesht për të marrë një rrogë? Për Çfarë? Ku ka zëra, ku ka debat brenda partive? Partia opozitare që është kritike ndaj qeverisë sot, ka mungesë demokracie brenda partisë së saj. E pamë si u bënë zgjedhjet në PD, e pamë mbledhjen e Këshillit Kombëtar, nuk kishte debat, nuk kishte rryma, nuk kishte argumente. Parti janë këto? Këto janë turpe, janë disa grupime banditësh të mbrojtur me ligjin që bëjnë vetë banditët në Parlament. Kjo është gjendja politike sot në Shqipëri. Partia Demokratike me kryetarin e saj totalisht të paaftë që ka 8 vjet që fle gjumë, që shikon punët e veta dhe vazhdon të jetë figurë.”-tha Demalia.
Diskutime rreth kësaj post