Nga një lojtar thuajse i panjohur për futbollin shqiptar, i shndërruar në një prej yjeve të rinj të Kategorisë Superiore. Kjo është historia e Valon Ethemit, djaloshit të transferuar nga Mamurrasi te Kukësi pa bujë në merkaton e verës, por që tashmë është një titullar fiks te veri-lindorët.
Një shpërthim që nuk kaloi pa u vënë re, me Maqedoninë që ka nisur garën me Shqipërinë, duke i dërguar djaloshit të lindur në Tetovë një ftesë zyrtare për grumbullimin e përfaqësueses së 21-vjeçarëve. Me gjithë interesimin, ëndrra e Ethemit është të luajë me fanellën kuqezi. Këtë dëshirë lojtari ia ka konfirmuar edhe trajnerit të ekipit Shpresa, Alban Bushi dhe që shumë shpejt pritet të kthehet në realitet.
Federata Shqiptare e Futbollit dhe lojtari kanë nisur procedurat për pajisjen e mesfushorit me pasaportë. Në rast se dokumentacioni do të jetë gati prej javëve në vazhdim, Bushi pritet ta grumbullojë talentin tetovar prej dy ndeshjeve të radhës me Sllovakinë, që do të luhen në datat 23 dhe 27 mars.
Nëse pasaporta do të vonohet, Valon Ethemi mund ti bashkohet ekipit kuqezi për tre sfidat e mbetura në kualifikueset e Europianit të 21-vjeçarëve, dy përballjeve me Spanjën dhe ndeshjes me Estoninë. Prej moshës që ka, ky është edicioni i fundit në të cilin mesfushori mund të luajë me ekipin Shpresa, por afrimi i tij në skuadër vlerësohet më tepër si një investim për të ardhmen në Kombëtaren A.
Diskutime rreth kësaj post