Maqedonia bëhet me qeveri të re. Pas debateve 2-ditore në Parlament, ekzekutivi i Zoran Zaevit u miratua me 62 vota pro, 44 kundër dhe 5 asnjëanëse.
Votat kundër ishin të gjitha të VMRO-DPMNE-së, ndërsa ato asnjëanëse të Lëvizjes Besa. Qeveria e re ka 25 ministra, 8 nga të cilët janë nga radhët e komunitetit shqiptar, përkatësisht nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët.
Krijimi i saj pritet t’i japë fund krizës së zgjatur politike që e ka mbajtur vendin pa qeverisje funksionale që nga viti 2015, pas krizës që pasoi një aferë përgjimesh të qeverisë së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Zaev premtoi të jetë kryeministër i të gjithëve.
“I pranoj edhe kritikat, sepse e vërteta është një dhe del gjithmonë në sipërfaqe. Do të punojmë për bashkimin e të gjithëve në këtë vend. Ju lus që të na mbështesni për ligje të cilat janë në dobi të qytetarëve. E ardhmja do të na dënojë nëse nuk do t’jua plotësojmë atyre nevojat dhe nuk e çojmë vendin përpara”, tha Zaev.
Sipas Zaevit, kabineti i tij ka 3 ojektiva kryesore: zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe integrimin e vendit në Bashkimin Evropian e NATO. Paralajmërimi i tij për ngritjen e taksave në 18% për ata të cilët fitojnë më shumë se 1000 euro në muaj, hasi menjëherë në kritikat e deputetëve opozitarë të VMRO-së. Zaev po ashtu tha se pushteti i kaluar kishte prirje albanofobe, radikal-nacionaliste dhe banditeske e kjo ishte dhe arsyeja përse u rrëzua.
Departamenti Amerikan i Shtetit e përshëndeti krijimin e qeverisë maqedonase. “Si mike dhe partnere e Maqedonisë, SHBA-ja pret me padurim bashkëpunimin me qeverinë e re, plotësimin e aspiratave euro-atlantike të vendit dhe zbatimin e reformave urgjente me të cilat do të forcohet sundimi i ligjit”, thuhet në urimin e DASH.
Edhe porosia e shefes së diplomacisë europiane, Federica Mogherini dhe komisionerit të zgjerimit, Johannes Hahn ishte që Zaevi dhe opozita të përgatisin një agjendë reformuese e cila të jetë në të mirë të vendit. Përfaqësuesit e BE-së presin ndër të tjera zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Përzhinos dhe u bën thirrje partive të lënë mënjanë ndasitë e ta kthejnë vendin në rrugën e integrimit europian.
Diskutime rreth kësaj post