Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar sërish në lidhje me situatën e nxehtë politike të krijuar pas kërcënimeve të presidentit Meta për ‘Beslidhje” dhe shpërndarje të parlamentit.
Nisur nga disa teori që qarkullojnë se ministri i Brendshëm të kufizojë sjelljen e presidentit që ka dalë nga binarët, Manjani shkruan edhe nëse kjo ndodh, përsëri do të dështojë.
Sipas Manjnanit, deri sa të zbatohet parimi i përgjegjshmërisë, ku zyrtarët publikë të kuptojnë rëndësinë e veprimeve që kryejnë dhe të marrin përgjegjësi për to, asnjë ligj tjetër nuk vlen.
Postimi i plotë:
Në lidhje me teorinë e Ministrit të Brendshëm për të “… Kufizuar me ligj sjelljen e Presidentit, i cili ka dalë nga binarët…”
Kjo është teori që ka kohë që qarkullon dhe për një pjesë të mirë institucionesh publike kemi bërë ligje të tilla.
Praktika tregon se as ligji nuk e kufizon sjelljen e drejtuesve, për fat të keq.
Ja psh të marrim sjelljen e ministrave të brendshëm, përfshi edhe të këtij të sotmit. Veprimtaria e ruajtjes së rendit publik, apo e luftës kundër krimit është e super disiplinuar me ligje. E çfarë ligjesh pa, të gjitha të miratuara me shumicë 3/5. Super ligje!
Sipas këtyre ligjeve, Ministri i Brendshëm nuk ka asnjë shanc të jetë as Drejtor Policie, aq më pak shef komisariati e as prokuror. Le pastaj mbigjykatës që jep drejtësi sipas qejfit.
Mirëpo në realitet këto ligje nuk e disiplinuan dot asnjërin ministër të brendshëm…
Ja pra që teoria e ligjit disiplinues nuk vlen! Po hiç fare!
Deri sa të zbatohet parimi i përgjegjshmërisë, ku zyrtarët publikë të kuptojnë rëndësinë e veprimeve që kryejnë dhe të marrin përgjegjësi për to, asnjë ligj tjetër nuk vlen!
Diskutime rreth kësaj post