Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka reaguar ashpër me një postim në Facebook pas thashethemeve se Presidenti Meta po kërcënon politikën shqiptare me nxjerrjen e një video erotike ku është përfshirë një zv.ministre dhe një ambasador i huaj.
Manjani e konsidereon këtë një poshtërsi dhe shkruan se debati në fakt lind për shkak të moralit monogamist dhe se kurioziteti i gërryen njerëzit që të dinë se me kë ja dredh ky apo ajo bashkëshortit.
Ai shprehet se nuk e kupton se ç’lidhje ka erosi jashtëmartesor i dy njerëzve me borxhin publik; me koncesionet e PPP abuzive; me nxjerrjen e shtetit nga Kushtetuta e ligjet; me Gjykatën Kushtetuese që nuk bëhet; me papunësinë që shtohet; me emigracionin që rritet, apo mos do na çelen negociatat nga zbulimi i kësaj gjëje?!
Sipas Manjani, Shqipëria do ishte më e pasur, më e begatë e me shtet të përgjegjshëm. Ai pyet “kur do burrërohemi (moralisht) që t’i themi tjetrit në sy ik mor sharlatan”.
POSTIMI I MANJANIT
“Është një video erotike…”
Kjo është tema më interesante për publikun në këto vitet e fundit. Ngjan si shantazh publik ndaj “viktimave” që kanë poste publike.
Mendoj se kjo në thelb është poshtërsi hipokrite. E ndyrë sa më s’ka!
Veglat gjenitale i janë vënë nga krijuesi njerëzve për këtë punë, pra për eros. Kështu që dy persona që na zhvillokan një marrëdhënie erotike nuk më duket ndonjë gjë kaq interesante, as e veçantë. Për këtë punë janë bërë ato të shkreta.
Debati në fakt lind për shkak të moralit monogamist. Kurioziteti i gërryen njerëzit që të dinë se me kë ja dreth ky apo ajo bashkëshortit. Dhe po të zunë në flagrancë të ta bëjnë me gisht (gishtin tregues) si një tradhtar.
Qesharakë! Kaq e cekët është kjo logjikë saqë është krijuar ideja e rreme se vetëm ato që kapen në video janë tradhtarët. Të tjerët janë engjëj!
Për të qeshur me lot madje.
Por, ajo që s’kuptoj dot është se ç’lidhje ka erosi jashtëmartesor i dy njerëzve me borxhin publik; me koncesionet e PPP abuzive; me nxjerrjen e shtetit nga Kushtetuta e ligjet; me Gjykatën Kushtetuese që nuk bëhet; me papunësinë që shtohet; me emigracionin që rritet, apo mos do na çelen negociatat nga zbulimi i kësaj gjëje?!
Pa këto video-flagranca që përhapen nga moralistë, Shqipëria do ishte më e pasur, më e begatë e me shtet të përgjegjshëm?!
Logjika 0!
Por edhe morali 0! Pse moral është të marrësh vëmendjen publikut me gjëra krejt private të dikujt?!
Nga ana tjetër, moral është të sherrosësh familjet e “viktimave” të videove?!
Kur do burrërohemi (moralisht) që t’i themi tjetrit në sy “ik mor sharlatan” a ku e di unë se çfarë?! Se burrat duhet të ta thonë hapur në sy atë që mendojnë dhe jo pas krahëve “shih se kam një video për ty”…
Është më e ndershme dhe e moralshme sa më s’ka ta shash tjetrin e t’ia thuash në surrat, sesa pas krahëve e me aspekte nga jeta private.
Edhe kisha që është autore e monogamisë, ka krijuar institucionin e rrëfimit që është prapë një institucion privat.
Njerëzit me funksione publike nuk bëjnë aspak përjashtim nga kjo logjikë.
Nejse, unë kështu mendoj. E poshtër është”, shkruan Manjani.
Diskutime rreth kësaj post