Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja ditën e djeshme në një intervistë televizive foli për zyrtarët e korruptuar ku u shpreh se me reformën në drejtësi, shqiptarët do të kenë shembuj konkretë pasi prokuroria është duke hetuar. Manja tha se meqë PD ka deklaruar se do ta zhbëjë reformën, duket se drejtësia e re ka filluar të japë rezultate mbi politikën.
Sipas tij PS do të vijojë qeverisjen duke u fokusuar në tre shtyllat si pandemia, rindërtimi dhe reforma në drejtësi.
“Prokuroria është një program i pavarur, po heton, ka çështje që janë në hetim dhe duhet të priten përgjigjet konkrete. Pas kësaj reforme qytetarët shqiptarë presin diçka konkrete, sepse ligjet i miratuam, kjo mazhorancë ka dhënë suportin e duhur financiar. Por fakti që edhe në zgjedhjet e prillit reforma në sistemin e drejtësisë do të jetë kali i betejës mes dy kampeve. Pala tjetër e ka deklaruar me zë dhe figurë që nëse do të kenë votën e shqiptarëve më 25 prill, kanë thënë zhbërjen e reformës. Kjo më lë të besoj se drejtësia e re në veprim ka filluar të dhurojë rezultate konkrete mbi politikën, por jo vetëm. Ata kanë thënë nëse do të vijmë në pushtet do e rishikojmë reformën në drejtësi. Në këtë reformë kushtetuese jemi bashkëpunëtorë me SHBA. Pala tjetër, e ka deklaruar nëse do të vijmë në pushtet, larg qoftë, të rrinë të qetë ku janë. Programi i PS është i vijimit të qeverisjes. Tre shtyllat e programit janë, pandemia, rindërtimi, Reforma në Drejtësi, rritja e punësimit dhe lehtësirat financiare në maksimum”, – u shpreh ai.
Manja tha se ndryshimet në reformën në drejtësi nuk kanë lidhje me zgjedhjet e prillit por me kërkesën e KLGJ. Ai sqaroi se kuvendi nuk i ka futur duart në reformë. Në lidhje me SPAK, sipas tij ka nisur të lëvizë dhe të godasë në nivele të larta korrupsionin.
“Kuvendi nuk po fut duart në ligjet e Reformës në Drejtësi. Janë konsultuar këto ndryshime me Këshillin e Lartë Gjyqësor, ndryshimet kanë qenë kërkesë e këtyre institucioneve. Pra nuk ka lidhje fare me zgjedhjet e prillit. SPAK-u duhet të merret për atë që u konceptua. SPAK-u ka nisur me gjëra konkrete, është e nevojshme që edhe në dyert e drejtësisë të kemi goditje në nivele të larta. Makineria e sistemit të re të drejtësisë kanë nisur të lëvizin lirshëm”, – tha Manja.
Diskutime rreth kësaj post