Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve do të mblidhet nesër në orën 13:00 për të marrë një vendim për ndërprerjen e mandatit ose jo të deputetëve Gledion Rehovica dhe Aqif Rakipi. Avokati i këtij të fundit, Theodhori Sollaku thotë se nuk ka asnjë provë që klientit të tij të mund ti hiqet mandati.
Në intervistën e mbrëmjes në Ora News, ai tha se nëse KQZ vendos të veprojë në mënyrë partizançe atëherë gjithçka mund të pritet.
Sollaku: Nuk ka asnjë shkak ligjor, asnjë provë që deputetit Rakipi të mund ti hiqet mandati.Flasim sipas ligjit. Nëse do të veprohet në mënyrë partizançe, më tha ky apo ai, nisur edhe nga teoritë konspirative që qarkullojnë lart e poshtë, unë mendoj se gjithçka është e pritshme nesër.
I pyetur nëse kjo çështje ka ngjyrime politike, ai u shpreh:
Sollaku: Është më tepër se ngjyrime politike, ka një trysni nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë por problemi është që ende në Shqipëri nuk ka politikanë apo burra ti thonë stop kësaj situate. Ne do të respektojmë ligjin e dekriminalizimit pavarësisht se ai bie ndesh me të gjithë standardet europiane, por të paktën ligji të zbatohet.
Avokati Sollaku sqaroi edhe rastet se kur mund ti ndërpritet mandati një përfaqësuesi të popullit, qoftë ky deputet apo drejtues lokal.
Sollaku: Në vlerësimin tonë nuk kishte çështje. Ligji ngarkon prokurorin e përgjithshëm të certifikojë të gjithë rezultatet e hetimeve të thelluara që bën organi i prokurorisë dhe pastaj është po ky institucion që i drejtohet me rekomandimet përkatëse KQZ. Kjo nuk ndodhi. U bë një debat në mbledhjen e parë të KQZ, dhe më së fundi midis detyrave të tjera u la që kjo situatë të rregullohej nga përfaqësuesi i prokurorisë së përgjithshme. Të shohim si do të jetë reflektimi. Në atë vendim që kishte dërguar prokurori i çështjes që ishte marrë me hetimin e këtij rasti nuk kishte asnjë dokument që të justifikonte një nga 5 rastet kur mundet ti ndërpritet mandati një deputeti. Nuk po diskutojmë nëse është ligj i mirë apo i keq.
Para se të ndërpritet mandati i një deputeti duhet ti thuhet që tek rasti yt takohet një nga këto 5 rastet që parashikon neni dy. Që ti ndërpritet mandati një deputeti apo një përfaqësuesi lokal duhet: Së pari të jetë dënuar me vendim të formës së prerë, në rastin e deputetit Rakipi dhe deputetit tjetër nuk takohet. Duhet të ketë një masë sigurimi personal ndaj tij, nuk ka.Duhet të ketë një urdhër kërkimi ndërkombëtar, nuk ka.Duhet të jetë dëbuar nga një shtet i BE apo SHBA, nuk ka.
Gjithë problematika këtu kapet me një gjetje që është bërë nga Interpol Roma, që dikur,20 e ca vite më përpara është raportuar nga një polic që deputeti Rakipi paska përdorur dhe një emër tjetër dhe është raportuar se ka mbajtur sende që janë vjedhur në atë territor.Kjo nuk është e vërtetë, po të ishte e tillë organi i akuzës do kishte depozituar në KQZ një provë, një indicje, një fakt. Nuk ka deri më sot.
Sollaku vlerëson faktin që KQZ shtyu vendimin, ndërsa nuk pret shumë nga Prokuroria.
Sollaku: Gjë e mirë është që KQZ u bind se nuk mund të jepet vendimi pa pasur një provë, një shkresë, një vendim, një akt procedurial që në rastin konkret nuk ka. Si mundet që një përfaqësues i popullit të ikë në këtë mënyrë.Një polic italian lëshon përmes Interpolit se x deputet është raportuar me një gjeneralitet tjetër dhe ka kryer këtë vepër penale. Po ka kryer vepër penale ka një numër procedimi, ka një vendim, ka një përfundim ajo çështje si ka përfunduar, ka një masë sigurimi, kush është ajo?Në rastin konkret për fat të keq nuk i kemi.Ju kërkua prokurorisë ti plotësojë, unë jam çikë pesimist, këto dy ditë prokuroria nuk ka çfarë plotëson, çfarë ka pasur i ka paraqitur.
Pritshmëria ligjore e jona absolute është se nuk ka prova për të ndërprerë mandatin por të shohim si do të vendosë KQZ, a do të kenë ata kurajo profesionale për të marrë një vendim të tillë apo jo? Nesër do ta shohim, vetëm fakti se ata e kthyen materialin mbrapsht në kuptimin e plotësimit, i kërkojnë prokurorisë të sjellë në cilën pikë të nenit 2 të ligjit takohet rasti, veçanërisht i deputetit Rakipi. Dhe ata nëse nuk sjellin asnjë provë, asnjë dokument, nuk kthejnë asnjë përgjigje minimalisht, atëherë si mund të dalë para opinionit publik KQZ të thotë se ne sot po e shkarkojmë.Unë e mendoj që Shqipëria nuk është tamam vend sovran, ende nuk janë ata burra që të thonë se ligji duhet bërë. Po bëjmë reformën në drejtësi dhe qëllimi i saj është që Çezarit ti japim atë që i takon Çezarit. Ligji të zbatohet.
Diskutime rreth kësaj post