Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të thërrasë në seancë dëgjimore dy deputetët, Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, si dhe kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Rroshi. Për të 3, Prokuroria e Përgjithshme kërkoi zyrtarisht heqjen e mandateve për shkak se janë objekt i ligjit për dekriminalizimin.
Të 3 të zgjedhurit do të ftohen të paraqesin argumentet e tyre për t’i ballafaquar ato me rezultatet e verifikimit nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila gjeti se deputeti i Vlorës, Dashamir Tahiri, kolegu i tij nga LSI, Shkëlqim Selami, si dhe kryebashkiaku Elvis Rroshi kishin fshehur dënimet dhe çështjet penale që kishin marrë jashtë vendit.
Prokuroria e Përgjithshme kërkoi heqjen e mandatit të deputetit Dashamir Tahiri, për shkak se në vitin 1995 është raportuar nga policia në Foggia për krime lidhur me falsifikimin e parave, ndërsa në vitin 2009 është dënuar nga Gjykata e Ravenas me 9 muaj burg për përdorim të një leje drejtimi shqiptare të falsifikuar. Tahiri, ka dhënë si shpjegim faktin se nuk ishte në djeni se ishte dënuar.
Deputeti i LSI-së, Shkëlqim Selami nuk ka deklaruar për një masë sigurimi “arrest me burg”, nxjerrë ndaj tij nga ana e Gjykatës së Brindizit, si i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale që merrej me “trafikim të qënieve njerëzore”. Masa ndaj tij është dhënë në vitin 1994 dhe është ekzekutuar në vitin 2006. Në kuadër të kësaj mase, ai ka qëndruar një javë në paraburgim në Brindizi dhe më pas është lënë i lirë, në vijim të hetimit.
Ndërsa kryebashkiaku Elvis Rroshi akuzohet për përdhunim në grup në vitin 1995, ka përdorur disa emra në Zvicër që si ka treguar, e atje edhe është arrestuar për trafik droge, ndërsa në vitin 2015 DEA informoi autoritetet zvicerane se po hetonin një shtetas të quajtur Enver Rroshi, për trafik droge dhe pastrim parash.
KQZ nuk pritet të ketë një vendim të martën, ndërsa komisionit i duhet të përcaktojë edhe një procedurë sesi do të veprojë me këto raste, ndërsa ajo nuk është e qartë në ligjin e dekriminalizimit.
Diskutime rreth kësaj post