Taulant Balla do të jetë Minsitri i pestë i Brendshëm i qeverisë së Edi Ramës, nga mandati i tij i parë deri më sot. Historia e ministrave të Brendshëm të Edi Ramës nga viti 2013-të kur ai mori pushtetin e deri më sot që është në mandatin e tij të tretë ka patur gjithmonë fund të hidhur, kjo jo për shkak të largimit nga detyra, por për shkak të historive të rënda që janë bërë shkak që ata të shkarkohen apo dorëhiqen nga pozicionet e tyre.
Ajo që i lidh bashkë në këtë detyrë përveç fundit “tragjik” të gjithë paraardhësit e Taulant Ballës, është fillimi i tyre, i cili ka qenë mjaft pompoz, ku nuk kanë munduar lavdërimet si dhe piar-i i jashtëzakonshëm i bërë nga kryeministri Edi Rama.
Saimir Tahiri
I pari që do të kishte fatin të ishte Ministër i Brendshëm në qeverinë Rama, ishte Saimir Tahiri, i cili e mori këtë detyrë në shtator të vitit 2013-të, të cilën ebajti deri në mars të viti 2017-të, ku dha dorëheqjen pas akuzave që vinin se ishte i përfshirë në trafikun e drogës, pas arrestimit të Habiljave nga autoritet italiane.
Ai u akuzua për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike.
Dorëheqja e Tahirit erdhi pas presionit të qeverisë dhe parlamentin gjerman ndaj Kryeministrit Rama, si kusht për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në.
Fillimisht, akuzat ndaj Tahirit si bashkëpunëtor me vëllezërit Habilaj u bënë nga Dritan Zagani, ish-punonjës i shërbimit anti-drogë në policinë e Fierit dhe më parë punonjës i policisë kufitare në Vlorë.
Në 2015-ën, Zagani akuzoi se Tahiri kishte vënë në dispozicion të tyre makinën e tij, tashmë të famshme, audi me targë AA003GB, me të cilën Habilajt kryenin trafikun e drogës drejt Greqisë, duke qenë se policët kufitarë nuk guxonin të kontrollonin makinën personale të ministrit të tyre.
Nga hetimet e prokurorisë së Katanias, u zbuluan prova për përfshirjen e ish-ministrit të Brendshëm Tahiri në organizatën kriminale të vëllezërve Habilaj.
Por pas hetimeve Tahiri u akuzua në fund vetëm për shpërdorim detyre, akuzë për të cilën u dnua me burg në 4 shkurt të vitit 2022, për tu liruar në 2 qershor të këtij viti, me pretendim për tu kujdesu për dy fëmijët e mitur, pasi bashkëshortja e kishte të pamundur.
Fatmir Xhafaj
Menjehërë pas largimit të Tahirit, në “karrigen” e MInistrit të Brendshëm u ul, Fatmir Xhafaj, i cili qendroi në këtë pozicion deri në27 tetor të vitit 2018-të, ku dha dorëheqjen pa asnjë shpjegim.
Gjatë kësaj periudhe, Xhafaj ishte në qendër të akuzave të opozitës. Opozita fillimisht i rikujtoi se Xhafaj ka qenë hetues në Krujë në kohën e Komunizmit në vitet 1982-84 si dhe drejtues i organizatës së Rinisë së Partisë së Punës. Dy ish të dënuar deklaruan për Partinë Demokratike se ai kishte ushtruar dhunë ndaj tyre kur kishte qenë hetues. Xhafaj mohoi akuzat. “Kurrë nuk kam ushtruar dhunë ndaj dikujt”, tha ai.
Pak muaj më vonë, opozita nisi një sulm tjetër kundër tij, duke e akuzuar për lidhje me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, konkretisht e akuzonte për favorizim të vëllait të tij Agron (Geron) Xhafaj për t’i shpëtuar drejtësisë italiane, e cila e kishte dënuar me vendim të formës së prerë për trafik droge.
Në maj 2018, opozita publikoi një vendim të gjykatave italiane në bazë të së cilit, Agron Xhafaj, vëllai i ministrit, ishte i dënuar për trafik droge në Itali. Në zyrat e opozitës u publikua një përgjim që sugjeronte se Agron Xhafaj, i cili prezantohet edhe me emrin Geron, ishte ende aktiv në trafikun e lëndëve narkotike.
Qeveria e deklaroi përgjimin e publikuar nga opozita një montazh. Rama deklaroi se përgjimi ishte i pavërtetë. Por ndërkohë, Agron Xhafaj pranoi vullnetarisht të ikte në Itali për t’iu dorëzuar drejtësisë për të vuajtur dënimin e marrë për një episod trafiku të vitit 2002.
Sandër Lleshaj
Pas largimit të Xhafajt në krye të Ministrisë së Brendshme, u emërua Sandër Lleshaj, i cili mbajti këtë post deri në 10 dhjetor të vitit 2020, u largua aps protestave të shumta për vrasjen e Klodjan Rashës nga policia në 8 dhjetor të atij viti.
Në karrierën e tij, Lleshaj deri në vitin 2013 ishte pjesë e Forcave të Armatosura me gradën madhore Gjeneral Brigade dhe Zëvendës-Shef i Shtabit të Përgjithshëm.
Në shtator të atij viti ai ishte angazhuar si këshilltar për sigurinë pranë kabinetit Rama, pozicion të cilin e mbajti për gjashtë vite deri në momentin kur u bë ministër.
Lleshaj e nisi detyrën duke propozuar emërimin në polici të ish-ushtarakëve të dalë në lirim, propozim që nuk gjeti mbështetje as nga socialistët. Ai e justifikoi propozimin me përpjekjen e tij për të reformuar policinë, reformim që më pas e kaloi vetëm përmes procesit të vetingut.
Përmes nismave të tij qeveria ndryshoi kodin penal, kodin rrugor dhe ligjin e policisë duke i dhënë kësaj të fundit kompetenca për përgjimin dhe vëzhgimin ambiental.
Opozita e ka kritikuar shpesh për udhëzimin e policisë, kryesisht në rastet e protestave, për të përdorur gaz lotsjellës dhe sidomos për ndërhyrjen e dhunshme me forca të armatosura në rastin e shembjes së Teatrit Kombëtar.
Bledi Çuçi
Në dhjetor të 2020-s në detyrën e Ministrit të Brendshëm u emërua Bledi Çuçi, i cili e mbajti këtë detyrë deri ditën e sotme, e shtunë 8 korrik 2023.
Ngjarjet kriminale gjatë kohës së Çuçit si Ministër i Brendshëm
Zhdukja e Ervis Martinajt
Zhdukja e Ervis Martinajt që nga gushti i vitit të kaluar është një ndër ngjarjet më të përfolura ende në vend.
Nuk ka ende asnjë gjurmë nga “mbreti i lojërave të fatit”, teksa zhdukja e tij u pasua me atentate dhe krime të rënda. Edhe pse u la afat për gjetjen e tij, kur Muhamet Rrumbyullaku u emërua drejtor i Përgjithshëm i Policisë, duket se përpjekjet nuk kanë pasur sukses.
Masakra e Fushë Krujës
Zhdukjes së Ervis Martinajt i parapriu një ngjarje e rëndë që përfshinte familjarët të tij. Djali i xhaxhait të Ervis Martinaj, Brilant Martinaj, u vra në një atentat në mbikalimin e Fushë Krujës në korrik të vitit të kaluar. Viktima mbetën edhe Diklen Vata e Besmir Hoxha. Ende nuk ka një përgjegjës para drejtësisë për ngjarjen.
Vdekja e Lear Kurtit në duart e policisë
32-vjeçari Lear Kurti ndërroi jetë pasi u shoqërua në polici në tetor të vitit të kaluar. Pasi u shoqërua në polici, ai është ndjerë keq edhe ka ndërruar jetë, gjë e cila është konstatuar në Spitalin e Traumës. Nga familjarë dhe të afërm të të riut, nuk kanë munguar akuzat e vazhdueshme se ndaj Learit u ushtrua dhunë nga policia.
Vrasja e Joniada Avdias nga polici Arjan Tase
Vera e kaluar u trondit nga një ngjarje e rëndë. Në plazhin e Potamit në Himarë, polici Arjan Tase vrau me skaf 7-vjeçaren Joniada Avdia. Kur ndodhi ngjarja Tase mbante detyrën e shefit të policimit në komunitet në policinë e Elbasanit.
Më parë ai ishte shkarkuar nga detyra, por i kishte shpëtuar drejtësisë, pasi akuzohej se gjatë kohës kur mbante detyrë në policinë e Vlorës, favorizoi kultivimin e kanabisit.
Atentati në Don Bosko
Në mars të këtij viti, një ngjarje tjetër e rëndë u shënua në kryeqytet. Në një atentat në lokalin e Fatjon Muratit në zonën e “Don Boskos” mbeti e vrarë banakierja që punonte aty, Mimoza Paja. Ngjarja ndodhi në sy të mbesës së saj 10-vjeçare, e cila mbeti e plagosur. Të plagosur mbetën gjithashtu Sahit Murati, Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku dhe Genc Shohalli. Ende asnjë i dënuar për ngjarjen.
Masakrat e Dan Hutrës
Marsi i këtij viti hyri i zi, pasi që në ditën e parë u shënuan tre viktima, me të njëjtin autor.
Dan Hutra, pasi plagosi të dashurën e tij Marjana Gurakuqi, u end i lirë për të vrarëish-partneren e tij Elena Hysa dhe nënën e saj Kujtime Hysa, 60 vjeçe dhe kunatën e saj Elena Hysa. Të plagosura mbetën Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).
Ai u end sërish i lirë për të vrarë më pas Etleva Kurtin, motra e Vladimir Kurtit, me të cilin kishte pasur konflikte në burg.
Janë këto disa nga ngjarjet më të bujshme që kanë shoqëruar mandatin e Çucit, teksa nuk kanë munguar edhe atentate e skandale të tjera, me ngjarjet e ditëve të fundit që i vunë vulën shkarkimit të tij.
Taulant Balla
Tashmë njeriu që do të jetë në krye të Minsitrisë së Brendshme është Taulant Balla, i cili më herët ka bajtur postin e Seketarit të përgjithshëm në PS, duke zëvendësuar gramoz Ruçin, dhe sëfundmi atë të kreut të grupit parlamentar socialist. A do ta thyëjë “mallkimin” Taulant Balla, kjo mbetet për tu parë, por ajo që është e sigurtë është se akuzat e opozitës nuk do të mungojnë, pasi shpesh është akuzuar shpesh për lidhje me krimin dhe drogë nga ish-kryeministri Sali Berisha në foltoren e parlamentit dhe jashtë saj.
Diskutime rreth kësaj post