Ditën e nesërme, 17 qershor, do të zhvillohet provimi i Matematikës, provimi i tretë i Maturës Shtetërore 2016, i cili mbyll edhe ciklin e provimeve detyruese. Provimi do të zhvillohet në 201 qendra në të gjithë vendin dhe do të marrin pjesë 42.400 maturantë të shkollave të mesme, për të gjitha profilet.
Në një konferencë për shtyp, Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, deklaroi se MAS dhe institucionet e varësisë kanë marrë të gjitha masat për menaxhimin dhe zhvillimin korrekt të procesit të provimit, nga fillimi deri në mbylljen e tij.
Duke falënderuar maturantët, prindërit, mësuesit dhe stafin akademik, Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj theksoi edhe një herë se për nxënësit dhe administratorët që do të thyejnë rregulloren e MSH gjatë procesit të provimit do të merren masat e duhura.
“Ka pasur raste penalizimi ndaj maturantëve të cilët kanë thyer rregulloren e MSH gjatë zhvillimit të dy provimeve, atë të ‘Gjuhës së huaj’ dhe ‘Gjuhë shqipe dhe Letërsi’. 5 maturantë janë penalizuar për shkak të mbajtjes së celularit në provimet e zhvilluara, duke i vendosur në veshjet e brendshme apo edhe nën atlete. Ka pasur 3 raste kur maturantët janë paraqitur me identitet të rremë dhe kjo i përketë shkollave me kohë të pjesshme, 2 raste janë penalizuar për shkak të mosrespektimit të kodit të etikës dhe komunikimit me administratorët.’ tha Malaj.
Zëvendësministrja deklaroi se do të ketë 3 formate testesh, teste për gjimnazin e përgjithshëm, testi për arsimin profesional dhe testi i matematikës për gjuhët e huaja. Provimi është i ndërtuar me 25 pyetje, ku 13 janë me alternativa dhe 12 me zhvillim.
Drejtoria e Policisë së Shtetit, do të garantojë standardin e gjithë procesit, në të gjitha qendrat e provimeve, në vend. Kurse Posta Shqiptare do të garantojë transportimin e materialeve të provimit, në të gjitha drejtoritë dhe zyrat arsimore.
Datat e provime të Maturës Shtetërore janë si më poshtë:
- a) Gjuhë e huaj 04 qershor 2016
- b) Gjuhë shqipe dhe letërsi 11 qershor 2016
- c) Matematikë 17 qershor 2016
- d) Provime me zgjedhje 24 qershor 2016
Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj bëri edhe njëherë publike këshillat ndaj maturantëve/Kandidatëve, në zbatim të Rregullores së Maturës Shtetërore 2016.
Diskutime rreth kësaj post