Majlinda Bregu, si sekretare e Përgjithshme e Këshillit të bashkëpunimit rajonal ka ndjekur nga Brukseli të gjithë procesin. Ajo është shprehur mjaft entuziaste për suksesin që pati Konferenca e Donatorëve, që siguroi një shifër që tejkalon 1 miliard eurot ishte një sinjal i fortë i solidaritetit të komunitetit ndërkombëtar ndaj Shqipërisë së goditur nga tërmeti i 26 nëntorit.
Sipas Bregut, kjo arritje dha edhe sinjalin që vendi ynë dhe ato fqinj duhet të fillojnë të mendojnë në mënyrë më sistemike për të përballuar fatkeqësitë natyrore.
“Ishte ndjesi e dyfishtë, nuk mund të mos kishe emocion duke qenë shqiptare, duke dëgjuar fjalimin prekës të presidentes Von der Leyen”, – thotë Bregu në lidhje me A2, që gjykon rezultatet e Konferencës si “një mesazh konfortues për gjithë shqiptarët që këto muaj janë detyruar të jetojnë në pasiguri”.
Por për Bregun një tjetër sinjal i qartë është fakti që “asnjëri prej vendeve të Ballkanit perëndimor, 18 milionë banorë, nuk mund të përballojë i vetëm një fatkeqësi natyrore”. Për këtë arsye lind e domosdoshme ideja për krijimin e një mekanizmi rajonal “një Qendër Rajonale të Emergjencave Civile”, siç e quan Bregu, që të mundë të reagojë në mënyrë efektive ndaj këtyre rasteve që në rajon po përsëriten gjithmonë më shumë.
Ditët e Brukselit dhanë edhe sinjale në drejtim të procesit të zgjerimit të Ballkanit perëndimor në Bashkimin Europian.
Sipas Majlinda Bregut, vendimi që i “preu këmbët” Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në tetor “ndoshta ka vlejtur për të shkundur të gjithë në bindjen që dëmi më i madh për BE-në nuk është përfshirja e Ballkanit perëndimor dhe perspektiva për anëtarësim, por lënia mënjanë e tyre, duke krijuar një ishull që për shkak të problemeve ekonomike, të qeverisjes dhe të sigurisë mund të krijojë më shumë probleme”.
Ekziston tashmë ideja e një metodologjie të re me të cilën do të përballen vendet që kërkojnë integrimin, por për Bregun “bashkimi i Ballkanit Perëndimor me BE-në nuk është çështje metodologjie, por vullneti politik”.
Edhe pse frika e një pozicioni ende të ngurtë të Francës, “që ka zgjedhje vendore në mars”, dhe të disa vendeve të tjera është ende e mundur, Bregu shpreson që të ketë vendim pozitiv, si rezultat dhënies peshë të kredibilitetit nga të dy palët, nga vendet e BE për të mbajtur premtimet dhe nga vendet kandidate për të vijuar reformat”.
Diskutime rreth kësaj post