Ministri për Diasporën në Republikën e Shqipërisë, Pandeli Majko është përfshirë në debatin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ish-kryeministri i Shqipërisë në periudhën e luftës së Kosovës, i ka thënë Gjuriqit se ëndrrat me ndryshim kufijsh kanë mbaruar përfundimisht.
Ai ka përmendur edhe vizitën e djeshme në Prishtinë dhe ka folur për takimin me kryeministrin Haradinaj.
“Dje, në një vizitë zyrtare në Prishtinë, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj më konfirmoi lajmin i cili është diskutuar prej kohësh midis Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës. Ai është fillimi i lëvizjes së lirë së njerëzve dhe mallrave midis dy vendeve tona duke filluar nga 1 janari 2019”, ka shkruar Majko duke shtuar se kjo marrëveshje ishte paraparë më herët por për arsye të mirë-kuptueshme vendimi është shtyrë.
“Kujtoj se në takimin e parë zyrtar të dy kryeministrave, të Shqipërisë dhe Kosovës, si afat u vendos që ky proces të fillonte në 1 janar 2018. Për arsye të mirë-kuptueshme, Qeveria e Kosovës kërkoi kohën e nevojshme për të marrë vendimin”.
Majko tregoi se ishte ftuar nga Haradinaj në Skenderaj, për të dhënë lajmin për lëvizjen e lirë midis kufijve shtetërorë të dy vendeve tona.
“Dje, Kryeministri Haradinaj më kërkoi që në festimet ku ishim të ftuar bashkë me Presidentin Hashim Thaci dhe zëvendëskryeministrat Pacolli dhe Gashi në Komunën Skënderaj, nën hijen e bustit të Bacës Adem Jashari, të isha unë që do të jepja lajmin se Kosova e ka marrë vendimin përfundimtar për lëvizjen e lirë midis kufijve shtetërorë të dy vendeve tona”.
Ministri për Diasporën në Republikën e Shqipërisë, ka reaguar edhe ndaj deklaratës së Gjuriqit, duke i kujtuar atij se Jugosllavia nuk ekziston më.
“Lexova që sot, Gjuriq, Drejtori i zyrës për Kosovën në Shtetin Serb ka deklaruar se “Kosova dhe Shqipëria nuk kanë kufij, ekziston vetëm kufiri ndërmjet Serbisë e Shqipërisë me gjatësi 111 kilometra”… Uroj që dikush ti thotë se Jugosllavia nuk ekziston më… Endrat me ndryshim kufijsh kanë mbaruar përfundimisht. Kosova është shtet i pavarur dhe kjo është arsyeja pse edhe ai është sot drejtor…Natyrisht”, thuhet në fund të shënimit të Pandeli Majkos në profilin e tij në Facebook. /Telegrafi
Diskutime rreth kësaj post