Sa herë ka kriza të forta politike, kur në pushtet është e majta, dhe pushteti i kryeministrit vihet në rrezik, gjithnjë prozhektorët drejtohen nga Pandeli Majko.
Ai është nga ata socialistë me kuota të larta në publik, dhe i pranueshëm edhe nga kundërshtari. Dy herë kryeministër, Majko nuk është lidhur drejtpërdrejt me ndonjë aferë kur ka qeverisur, dhe emri i tij nuk është përmendur në skandale. I përkorë, pa protagonizëm, por prezent kur duhet.
Dhe në krizën e fortë të 2017, ai u pa duke pirë një kafe me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha, në Rogner. Dhe ja këto ditë, sërish flitet shumë për Pandeli Majkon. Sot në një intervistë në Top Talk, ai ka lënë disa mesazhe me dy kuptime. Të forta, por cdokush, sa mund ta marrë që I adresohen Bashës, aq mund ta kuptojë që janë sinjale për Ramën. Edhe pse është anëtar i qeverisë, pra formalisht vartës i Kryeministrit, Majko ka folur si të jetë mbi palët. Dhe nëse merr në konsideratë faktin se ai është ministër, mendja ta do që shigjetat që ka hedhur sot, janë më shumë për Ramën, përndryshe normalisht ai duhej të ishte drejtpërdrejt i qartë se e ka me Bashën. Ja si është shprehur në dy momentet më të forta të intervistës, i pyetur për krizën.
“Në fund fare, dikush do të humbasë, por ndonjëherë në politikë humb duke fituar, dhe fiton duke humbur”, thotë Majko, i cili ka theksuar që në krye nevojën për uljen në tryezë të shefit të mazhorancës me shefin e opozitës. Humb duke fituar, ngjan si fitorja e Ramës në zgjedhjet e fundit, por që tashmë ka dalë jo legjitime, e ndotur dhe e damkosur nga faktet që ka zbuluar drejtësia ku grupe kriminale janë përfshirë direkt në fushatën e blerjes dhe manipulimit të votës në interes të qeverisë. Kjo është të humbësh, duke fituar.
Po ashtu, fiton duke humbur, ngjan se më shumë i adresohet Ramës, sepse ideja të con që, fiton më shumë nëse për të shtensionuar situatën dhe për të gjetur zgjidhje për krizën, pranon të humbësh, në këtë rast, karriken, privilegjet dhe interest. Qoftë dhe përkohësisht, për hir të vendit, që Shqipëria të shkojë më në fund në një palë zgjedhje vërtetë të lira e të ndershme.
Po ajo cka mesazhin e Majkos e bën jo vetëm dykuptimësh, por qartazi një thirrje për Ramën, është cka vjen më pas.
“Mendoj që jemi klasë politike që po mbyll ciklin e vet dhe është e sigurtë që në zgjedhjet që vijnë, dikush do të lërë jo vetëm karrigen e politikës. Prandaj është ky polarizim në këtë moment”.
Diskutime rreth kësaj post