Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dhënë dje sërish sinjale se ajo që kërkon opozita janë zgjedhjet e parakohshme. Tanimë Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar kanë hequr dorë nga protestat dhe së fundmi në artikulimet e tyre vihet theksi vetëm tek zgjedhjet e parakohshme.
Dje kreu i PD ishte i pranishëm në Lezhë, ku ka mbajtur një takim me fermerët e vendit aty, në kuadër të nismës “Rrugëtimi për Shqipërinë”. Basha theksoi nga Lezha se bujqësia do të jetë prioriteti i parë i buxhetit në qeverinë e PD. Kreu i opozitës mes të tjerash përmendi ngjarjen në stadium, ku disa tifozë thirrën “Rama ik”, duke përdorur kështu këtë rast për të thënë edhe njëherë se zgjidhja e krizës do të vijë vetëm nga zgjedhjet e parakohshme. Sipas Bashës, largimin e kryeministrit Rama nuk e do vetëm opozita, por të gjithë. “Të gjithë e dëgjuam jehonën e zërit të shqiptarëve dje në stadium.
Mesazh i qartë i shqiptarëve krenarë dhe të vendosur. I thanë Edi Ramës “largohu, çliroje vendin nga qeverisja jote e dështuar, nga korrupsioni, hap rrugën”. Nuk është vetëm opozita, por janë të gjithë shqiptarët që e kërkojnë këtë. Ndaj, bën mirë t’i vërë veshin zërit të shqiptarëve, të hapë rrugën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe zgjedhje vendore sipas Kushtetutës që janë edhe zgjidhja e kësaj krize të rëndë që ka pllakosur. Njerëzve u është shpifur me hajdutërinë dhe propagandën. Nuk e pranojnë atë. Kush ka mend, t’i vërë veshin shqiptarëve të vendosur që ushtuan dje nga stadiumi. Nuk është vetëm opozita, por i gjithë populli që kërkon ndryshim. Ndryshimi do të vijë nëpërmjet votës suaj dhe vota juaj do të hidhet për programin që zgjidh problemet tuaja, që adreson në mënyrë konkrete dhe të besueshme problemet tuaja”, u shpreh Basha.
Basha premtime fermerëve
“Fermerët e Lezhës ngritën si shqetësime mungesën e subvencioneve, çmimin e lartë të naftës dhe energjisë, si edhe përmbytjet dhe moskullimi i tokave. Ata ndanë të njëjtin shqetësim se braktisja e qeverisë nga njëra anë dhe rritja e kostos së punës, nga ana tjetër, po çon fermerët në falimentim.
“Jeta e fermerit është bërë shumë e vështirë me rritjen e kostos së punës, me rritjen e taksave, me rritjen e çmimeve të produkteve bazë dhe me mbështetjen totale dhe të përkrahjes nga shteti. Kjo qeveri e ka braktisur tërësisht fermerin dhe zhvillimin rural. Efektin e saj ne e shohim përditë; e shohim tek fermerët të cilët janë në prag të mbijetesës dhe shumë prej tyre janë shtyrë drejt falimentimit dhe kanë braktisur aktivitetin e tyre që e kanë ushtruar prej brezash, qoftë bujqësor, qoftë blegtoral”, ka deklaruar Basha.
Kryeopozitari bëri një sërë premtimesh sa i përket fushës së bujqësisë dhe vetë fermerëve. Kujtojmë se Basha është duke bërë takime me fermerët në disa qytete të Shqipërisë, nga ku ka bërë deklarata se nëse PD vjen në pushtet do t’i japë një përparësi bujqësisë.
Në këto deklarata nuk kanë munguar as sulmet që Basha ka bërë ndaj Ramës, nga ku ka thënë se prioritetet e Ramës janë oligarkët dhe ka përmendur buxhetin vitit 2020 të qeverisë.
“Shiheni buxhetin për 2020-ën dhe shiheni cili është prioriteti i Edi Ramës. 120 milionë euro për oligarkët dhe për 10 koncesione. Për bujqësinë nuk ka as 1/10-ën. Për 10 njerëz 120 milionë euro, për 49% të shqiptarëve që jetojnë me bujqësinë, as 1/10-ën. Këto janë prioritetet e Edi Ramës. Ne kemi një platformë me propozime të qarta që nesër në qeveri të jemi në krahun tuaj. Kjo platformë nis me vënien e bujqësisë si prioritet të parë të buxhetit të shtetit”, tha Basha.
Diskutime rreth kësaj post