Kreu demokrat, Lulzim Basha ka hedhur pas thirrjet për protestat dhe ka vendosur të zbresë në bazë. Berisha dhe mbështetësit pranë tij ditët e fundit kanë bërë thirrje për të rinisur aksionin opozitar, por Basha ka dalë me axhendë të re. Ditën e djeshme, që nga ora 09:00 e mëngjesit, kryetari i Partisë Demokratike ka zhvilluar një mbledhje me Kolegjin e Kryetarëve të PD, ku dhe është vendosur se që nga dita e hënë të nisë një cikël takimesh me qytetarët, për të vijuar në Korçë, Shkodër, Vlorë dhe Krujë.
Në kuadrin e zgjedhjeve të parakohshme, në takimin e djeshëm, kryetari i Partisë Demokratike u ka lënë kryetarëve të degëve të PD nëpër rrethe disa porosi. Një pikë kyçe që është diskutuar, është përcaktimi i numrit të personave që janë anëtarësuar në Partinë Demokratike. Një tjetër porosi që kryedemokrati la ditën e djeshme, ishte se Partia Demokratike ka nevojë për anëtarë të rinj, gjithashtu të rikthehen personat të cilët dikur kanë qenë pjesë e partisë dhe janë larguar nga pakënaqësitë.
Gjatë takimit, kreu demokrat nuk la pa përmendur edhe reformën zgjedhore. Sipas tij, Partia Demokratike do të jetë gjithmonë pro, por, nënvizoi se nuk është ky problem dhe për pasojë, nuk është reforma zgjedhore ajo që do të zgjidhë krizën politike në vend. Basha shtoi më tej se reforma zgjedhore nuk do e ndalë kryeministrin Rama që të blejë vota apo dhe të mbajë kontakte me krimin. Ndërsa kujtojmë se pak ditë më parë, kryedemokrati u shpreh se vendi ka nevojë për një qeveri tranzitore në çdo zgjedhje.
Mediu për reformën zgjedhore
Aleatët mendojnë ndryshe nga kryedemokrati Lulzim Basha. Fatmir Mediu, në Asamblenë Kombëtare të Republikanëve gjatë fjalës së tij, nuk la pa përmendur edhe sistemin zgjedhor në vend. Kreu i Republikanëve u shpreh se kishte një propozim të qartë për sa i përket kësaj çështjeje. Mediu u shpreh se në thelb është sistemi proporcional kombëtar me lista të hapura.
“Në thelb të këtij propozimi qëndron sistemi proporcional kombëtar me lista të hapura, sipas së cilës votuesi përzgjedh partinë që dëshiron dhe brenda kësaj partie të ketë mundësinë që të zgjedhë 10% të kandidatit të listës së partisë përkatëse. Në fund, deputetë përzgjidhen ata kandidatë që kanë marrë më shumë vota në rang kombëtar. Po ashtu, mbetjet e votave i shkojnë listës së partisë përkatëse, të cilat nuk plotësojnë numrin e nevojshëm për deputetë, i shkojnë partisë me presjen dhjetore më të madhe”, u shpreh Mediu.
E përpos kësaj situate, propozimet e republikanëve për Kushtetutën dhe reformën zgjedhore, arrijnë deri aty ku kërkojnë president nga populli, krijimi i një sistemi parlamentar me dy dhoma, Senat dhe Dhomë të Përfaqësuesve, por dhe rishikim të reformës territoriale. Mediu shtoi se kërkon unifikimin e qëndrimit opozitar për këto çështje dhe çështje të tjera me rëndësi. Gjatë fjalës së tij, kreu republikan deklaroi se për të pasur mbështetjen e ndërkombëtarëve, duhet që të ketë një dialog opozitë- pozitë, duke përfshirë kërkesat tona dhe sidomos kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman./Ornela Çelpica
Diskutime rreth kësaj post