Kreu demokrat Lulzim Basha ka reaguar flakë për flakë për takimet që ka nisur ish-kryeministri Sali Berisha në bazë. Në një prononcim për mediat ditën e djeshme, Basha u shpreh qartë se aleanca dhe partneriteti i Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet dhe do të mbetet i pacenuar. Basha vendosi në fokus interesin dhe të mirën e demokratëve teksa deklaroi se çështja e Berishës është një çështje që nuk ka kthim pas.
“Nuk kam asgjë për t’i shtuar asaj që kam deklaruar një javë më parë sa i përket kontributit të Sali Berishës për zhvillimin e Shqipërisë, demokracisë dhe aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por dua të jem fare i qartë, aleanca dhe partneriteti i Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet dhe do të mbetet i pacenueshëm në interesin më të mirë të demokratëve shqiptarë dhe të së nesërmes së Shqipërisë. Për këtë arsye ne së bashku me të gjithë shqiptarë do të bëjmë gjithçka për të realizuar aspiratën e tyre për ndryshim. Nuk ka kthim pas”, u shpreh Basha.
Gjatë fjalës së kreut demokrat, nuk kanë munguar as sulmet e akuzat ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Lideri i PD u shpreh se 77 votat që miratuan qeverinë e re janë një formalizim i regjimit Rama-Doshi-Rakipi. Basha tha se ata janë fatkeqësia më e madhe ndërkombëtare pasi qëllimi i tyre është pasurimi i vetes në kurriz të familjeve shqiptare. Sipas kreut demokrat, qëllimi i opozitës është të bëjë gjithçka për të larguar armiqtë nga salla e Parlamentit si dhe të kthejë demokracinë tek shqiptarët.
“77 votat e sotme janë formalizimi i PPP-së Rama-Doshi-Rakipi bashkë me kriminelët e dosjes 184, të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër e dosjes 339 të Shijakut me Rrahman Rrajën të njohur për rekordet e tij kriminale janë fatkeqësia më e madhe kombëtare dhe ndërkombëtare . Qëllimi i kësaj PPP-je, i kësaj pakice, plaçkitësish është të pasurojnë veten e tyre të mbajnë pushtetin në kurriz të kostove të familjeve shqiptare. Qëllimi ynë të bëjmë gjithçka për ti larguar këta armiq të demokracisë nga salla e parlamentit e për ti kthye shqiptarëve demokracinë parlamentin e qeverisjen e vullnetit të tyre të lirë”, deklaroi lideri i PD. Kujtojmë se Basha që në prezantimin e programit të qeverisë pati kritika duke e quajtur vijim të plaçkitjes. Ai tha se problemet e shqiptarëve janë më shumë se 40 faqet e programit. Sipas liderit demokrat, opozita do të ndjekë sa më parë nga salla e Kuvendit një mazhorancë të rremë, e cila nuk përfaqëson vullnetin e lirë të qytetarëve.
“Problemet e Shqipërisë janë të rënda dhe zgjidhjet serioze nuk vijnë nga 40 faqe llomoti që kanë paturpësinë ta quajnë program. Ajo që ka qenë e qartë është se i vetmi program që keni është vijimi i plaçkitjes. Kjo është mazhoranca e rremë. Detyra jonë është që të bëjmë gjithçka që ata të mos jenë më në këtë sallë”, është shprehur Basha.
Diskutime rreth kësaj post