Nga Mero Baze
Lista e gjashtë ministrave teknikë që Lulzim Basha propozoi për qeverinë Rama, reflekton më së miri gjithë problematikën e tij si kryetar i Partisë Demokratike në opozitë dhe fuqisë së paprekur të familjes Berisha për të diktuar të ardhmen e pushtetit të PD.
Lista zbulon së paku tri dobësi thelbësore të Lulzim Bashës.
Së pari, tendencën për të shkuar tek figura anonime, mediokre dhe shumë larg pretendimeve për një ofertë cilësore opozitare. Standarti i ministrave është nën standartin e çdo mesatareje militantësh brenda PD-së, biles dhe shumë prej atyre që Basha i ka afruar në PD për çështje imazhi. Askush prej tyre nuk ka një shkollim për të qenë, dhe më tepër një CV reale për t’u vlerësuar teknikisht. E gjithë lista është një “qokë” mediokre që fyen vetë standartin e PD-së, për atë që pretendon si parti që kërkon të vijë në pushtet.
Përtej kësaj, disa kandidatura janë problematike dhe në raport me ligjin. Fjala vjen, nuk dua të merrem me akuzat edhe ligjore që ka ndaj kandidatit për ministër të Brendshëm, por emërimi i një komandanti komandosh në krye të Ministrisë së Brendshme, bie ndesh me parimin e drejtimit civil te Ministrisë së Brendshme.
Shqipëria e ka adoptuar këtë parim europian prej vitit 1992, dhe e ka të ndaluar të emërojë ish- ushtarakë në krye të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, për të siguruar kontrollin civil mbi këto dy Ministri. Fakti që as nuk u ka shkuar në mendje, bile ca më keq, fakti që edhe Edi Rama e toleron, flet shumë për teatrin e këtyre emërimeve.
Së dyti, lista dëshmon për fuqinë e paprekur të familjes Berisha për të diktuar të ardhmen e njerëzve në pushtet në PD. Së paku tre kandidatura nga gjithë listat e emërimeve, janë shoqe të ngushta të zyrës së vajzës së ish- kryeministrit, dhe në rastin e parë që PD ju dha shansi të ofrojë disa emra, ajo shkon sërisht aty ku e la më 2013, tek pushteti i plotë i Argitës dhe Shkëlzenit në pushtetin e PD. Edi Rama po ashtu i di mirë kush janë ato emra, por i ka pritur me siguri me buzëqeshje, që t’u tregojë shqiptarëve se kush po rri pas derës së pushtetit duke pritur kocka.
Lulzim Basha duket se nuk ka fuqi as t’i kundërshtojë ato kur ja çojnë.
Së fundmi, lista dëshmon dhe fallcitetin e betejës së çadrës në Bulevard për tre muaj. Beteja që u bë në emër të pasigurisë që kishin për standarte zgjedhore, ka përfunduar në një listë emrash, që më shumë dëshmojnë agjërimin e familjes Berisha larg pushtetit, se sa merakun e PD për zgjedhje të lira. Edhe në këtë pike, Lulzim Basha mund të kishte bërë ndonjë përpjekje për të dhënë mesazhet e tij, por duket se është i dorëzuar.
Sinjalet që ai dha me këtë listë dëshmojnë se ai vazhdon të jetë kryetar dezhurn në PD, dhe se tetari i çadrës duket amator, para humorit që shkaktojnë në emër të “Republikës së Re” figurina të tilla. Dhe nuk ka nisje më të keqe të fushatës elektorale, se sa kjo dëshmi. Çdo slogan, çdo fasadë, apo fushatë elektorale, janë të pafuqishme të hedhin poshtë fuqinë e shembullit konkret, se çfarë presim nga PD po erdhi në pushtet. Ja këta! Lulzim Basha foli!
Diskutime rreth kësaj post