Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha menjëherë pas votimit të Lindita Nikollës si kryetare e Kuvendit, është larguar nga salla për të mbajtur një prononcim për mediat jashtë saj.
Basha i pyetur nga gazetarët jashtë sallës së Parlamentit, një ditë pasi përjashtoi liderin historik të PD-së nga grupi demokrat parlamentar u tha:
“Dhimbja që ndjej për vendimin e djeshëm ndaj Sali Berishës, është dyfishuar sot nga reagimi i tij”.-tha ai.
“Kam ndjekur me dhimbje të madhe reagimin e doktor Berishës, konsideratën e kam shprehur mbrëmë në mënyrë të qartë dhe të plotë. Dhimbja që ndjej për vendimin e djeshëm është dyfishuar sot nga gjuha e përdorur nga zoti Berisha. Shpresoj që koha të jetë ilaçi më i mirë dhe të fokusohemi tek armiku i vetëm që është regjimi i Edi Ramës, problemi i vetëm i shqiptarëve”.-u shpreh Basha.
Ai shprehu keqardhjen që tezat e Ramës i dëgjoi sot nga Berisha. Basha theksoi se e vetmja rrugë e PD është të qëndrojë e bashkuar.
“Shpreh keqardhje që tezat e kundërshtarit të vetëm të PD e shqiptarëve sot i kam dëgjuar nga goja e një njeriu që vlerësimin e kam dhënë dje dhe i qëndroj dhe sot. PD nuk ka rrugë tjetër përveç se e bashkuar”.-deklaroi Basha.
Diskutime rreth kësaj post