Kryedemokrati Lulzim Basha në një takim me përfaqësues të Agjencive Turistike tha se Porti i Durrësit do të dalë nga duart e krimit.
Sipas Bashës pas 25 prillit, Durrësi do të dalë nga duart e krimit të organizuar dhe klaneve qeveritare që janë sipas tij të lidhura me të.
“Për portin e Durrësit është folur shumë këto 8 vite dhe është investuar shumë pak.
Ndërkohë ka pasur një sërë aferash të cilat kanë zhvendosur përfitimet financiare që vijnë nga porti në duart e klaneve brenda qeverisjes të lidhura me krimin e organizuar që vazhdon të mbetet një problem i madh në qytetin e Durrësit dhe jo vetëm, në gjithë Shqipërinë. Zero tolerancë për krimin e organizuar. Një kryeministër i lidhur me krimin nuk e lufton dot krimin. Një kryeministër i lidhur me krimin nuk lufton dot krimin. Një kryeministër që përdor krimin për vota, nuk e lufton dot krimin, nuk ua heq dot nga qafa. Mund të thoni çfarë të doni për mua dhe ta thoni lirshëm sot edhe nesër se nuk jam as natyrë noprane, as natyrë hakmarrësi. Çfarë të doni, por një gjë nuk e thoni dot. As kam qenë kurrë i lidhur me krimin, përkundrazi kam një rekord të suksesshëm të luftës kundër krimit që ju ka sjellë të gjithë ju një avantazh që nuk e ëndërronit para vitit 2010: Heqjen e vizave, se tani është bërë e mirëqenë.
Porti i Durrësit do të dalë nga duart e krimit të organizuar dhe klaneve qeveritare të lidhura me të. Porti i Durrësit do t’i kthehet në radhë të parë Durrësit, në radhë të dytë Shqipërisë. Është porti i Shqipërisë, natyrisht është port i durrsakëve. Për këtë keni zotimin dhe angazhimin tim. Nesër, porti i Durrësit do të jetë i Shqipërisë, do të jetë i Durrësit. Jo i krimit të organizuar, as i klaneve qeveritare të lidhura me të. Ne kemi përzënë investitorë të huaj nga porti i Durrësit, por them ne, në fakt i ka përzënë ky. Investitorë perëndimorë për të bërë këto lloj-lloj manovrash e aferash që s’ka durrsak që nuk i di.
Padiskutim që ne do bëjmë gjithçka që ta forcojmë portin e Durrësit dhe të thithim investime të huaja dhe porti i ka të gjitha funksionet e veta. Ka funksionet e kroçiereve, i cili duhet sipas planit tonë të shumëfishohet si kapacitet. Ka dhe funksione të tjera, të cilat duhet të planizohen në përputhje me strategjitë afatgjata që janë hartuar me ekspertët më të mirë ndërkombëtar, por që braktisen sa herë që u erren sytë pushtetarëve nga aferat korruptive.
Parimet se si do veprohet do jenë transparenca dhe padiskutim, ne do bëjmë gjithçka të thithim investime të huaja në funksion të një plani dhe të një vizioni afatgjatë për Durrësin. Dhe sa i përket rindërtimit, absolutisht Durrësi do jetë prioritet absolut, financiarisht me mbështetje direkte për familjet e dëmtuara, për strehimin, natyrisht dhe për biznesin edhe për faktin se është pika e gravitetit të turizmit dhe jo vetëm. Është pikë graviteti ekonomike në çdo aspekt tjetër të fjalës”, u shpreh Basha.
Diskutime rreth kësaj post