Kryedemokrati Lulzim Basha ka zhvilluar takime sot në Matit e Bulqizë. Lideri i PD insiston se zgjedhjet u manipuluan. Sipas tij, masakra zgjedhore është një padrejtësi që nuk iu është bërë vetëm demokratëve por Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Sipas Bashës, misioni i ndryshimit mbetet misioni i demokratëve, mbetet misioni i Partisë Demokratike. “Ne do ta çojme deri në fund, deri në fitore”, u shpreh ai.
“Ne u futëm në një betejë, përballë një kundërshtari politik i cili e trajtoi procesin zgjedhor si një masakër elektorale të përgatitur në detaje nga momenti i parë deri në momentin e fundit.
I cili përdori kundër qytetarëve shqiptarë dhe në veçanti demokratëve të gjithë arsenalin e shtetit, të buxhetit, të parave të korrupsionit, të bandave kriminale dhe të favoreve tjera të cilat ju i dini fare mirë dhe nuk ka nevojë t’i rreshtoj këtu, që nga tolerimi me kusht i rritjes së bimëvë narkotike, tek tolerimi me kusht i ndërtimeve pa leje, tek legalizimet për vota, tek blerja e mjerimit që ka mbjellë në sofrat Matjane për një grusht parash e gjithçka tjetër.
Por kjo zemëratë duhet të jetë dhe burim i forcës tonë. Mund të themi se pavarësisht të gjithë asaj që ka ndodhur, shkrirjes së shtetit me partinë, siç e thotë edhe raporti paraprak i OSBE-ODIHR, roli i krimit të organizuar, që dyfishoi numrin e kriminelëve në parlament, ku u hoq një Tom erdhën tre Toma, u hoq një Aqif, erdhën dy Aqifa e kështu me radhë. Ku mbetën tre të pandehurit e dosjes 339, të cilët mbajnë peng negociatat e antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, e kështu me radhë.
Këtu vetë në Mat me dy simbolet e krimit me Malajt e Bashkisë dhe Malajn e një nga protagonistët e dosjes 184, pavarësisht të gjithë kësaj ne sollëm një arritje të madhe për demokracinë dhe për shqiptarët, duke u bërë më të fortë, duke u rritur dhe duke mos u lëkundur para këtyre presioneve, ne dolëm nga kjo betejë dhe u konfirmuam si forca e vetme morale në vend.
Jam këtu për t’ju kërkuar ta vazhdojmë bashkë këtë përballje, ta vazhdojmë bashkë këtë betejë! Natyrisht, të vetëdijshëm se sa më shumë duhet të bëjmë, duke u nisur nga unë dhe sa më shumë të bëjmë, aq më shpejt do t’ia shkurtojmë ditën regjimit.“, tha Basha në Mat.
Në Bulqizë, kryedemokrati u shpreh se, nëse nuk do kishim të bënim me masakër zgjedhore, por fitore të pastër të Ramës, ai do jepte dorëheqjen.
“Kjo është arsyeja se pse në Këshilli Kombëtar, siç e dinë anëtarët e Këshillit Kombëtar ishin këtu, para se të niste ky proces, i bëra një thirrje: “Ndani mendjen, është masakër zgjedhore apo është fitore e Edi Ramës, se në qoftë se nuk është masakër zgjedhore, por është fitore e Edi Ramës, kjo punë nuk bëhet kështu.” Atëherë, unë e jap dorëheqjen këtu, në këtë moment.
Por në qoftë se jemi të gjithë, siç jemi dëshmitarë se kjo është masakër zgjedhore e nje regjimi, atëherë ejani të vazhdojmë betejën deri në fund drejt një stacioni final që është rëzimi regjimit që është fitorja e demokracisë dhe e Partisë Demokratike.”, tha Basha në Bulqizë.
Diskutime rreth kësaj post