Ylli Rakipi ka pyetur Blendi Fevziun lidhur me largimin masiv të shqiptarëve dhe mungesën e jetës kulturore në Shqipëri.
Gjatë intervistës në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Fevziu e lidhi largimin e shqiptarëve me kushtet më të mira ekonomike që u ofron Perëndimi. Lidhur me spektaklin Big Brother, që ka “mbërthyer” pas ekranit shumë shikues, Fevziu deklaroi se nuk ka shumë informacion për të, pasi nuk e ka ndjekur, por shtoi se e sheh si një fenomen kalimtar dhe jo shqetësues.
Ylli Rakipi: Shumë njerëz po ikin nga Shqipëria. Edi Rama tha se duhen ngritur pagat sepse rrezikojmë të mbetemi pa punonjës. Tani e ndjen.
Blendi Fevziu: Mendoj se do të ikin akoma edhe më shumë.
Ylli Rakipi: Pse mendoni se shqiptarët po ikin nga vendi kaq masivisht edhe në vitin 2023?
Blendi Fevziu: Këto vitet e fundit ka masivitet më të madh të ikjeve në të gjithë zonën. E dyta, fataliteti më i madh për ne është që po largohen njerëzit e shkolluar. Me kalimin e kohës, rrogat kanë mbetur në nivele të ulëta. Oferta që sjell Perëndimi është shumë më e rëndësishme se çfarëdo oferte që mund të marrësh në Shqipëri. E treta, Evropa ka nevojë për emigrantët, por ata do të preferonin një emigracion europian të brendshëm, pasi kulturalisht është më kollaj të integrohen. Në 10-20 vitet e ardhshme numri i atyre që do të largohen do të jetë akoma më i madh. Ka mungesë shprese, siguria është shumë keq dhe e treta këta njerëz duan t’i rrisin fëmijët në vende të zhvilluara.
Ylli Rakipi: Jeta kulturore e Shqipërisë është pothuajse e vdekur. Jemi zhytur në një kotësi të jashtëzakonshme. Të martën dhe të shtunën, shkon ora 8, njerëzit janë nëpër shtëpi dhe kafene duke parë Big Brother. Ti nuk e ke parë atë, por fenomenin e përcjell.
Blendi Fevziu: Nuk shoh zakonisht asnjë spektakël, as me kërcim, as në TV të tjera.
Ylli Rakipi: Të pyes për një gjë që ndihem i shqetësuar për shoqërinë ku jetojmë. Luizi ka marrë një të dytën e shikimeve të Joe Biden, katër miliardë e ca. Rama kishte 600 e ca milionë. Mos jemi një popull që kemi ikur për lesh?
Blendi Fevziu: Kështu ka ndodhur edhe me popuj të tjerë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Greqi. Fenomene mediatike të tilla ndodhin.
Ylli Rakipi: Që populli të mbërthehet i gjithi në kotësi?
Blendi Fevziu: Para disa kohësh një regjisori shqiptar i thashë, do të iki të shoh një ndeshje futbolli. Ai u transformua dhe tha, si do të shkosh të shohësh 20 budallenj që luajnë? Unë i thashë e shoh futbollin e kam pasion. Varet nga gjykimi. Problemi është nëse shoqëria e zgjat më shumë, por ka fenomene të tilla në shoqëri.
Ne kemi patur defektet tona si shoqëri. Pse komunizmi në Shqipëri ishte më i egër se çdo vend? Pse Shqipëria ishte vendi i fundit që u shkëput nga Perandoria Otomane?
Diskutime rreth kësaj post