Luiza Gega vijon të shkruaj me germa të arta historinë e atletikës shqiptare. Kampionia e Europës ka tejkaluar edhe një herë veten, duke shënuar një tjetër rezultat të madh, teksa ka vendosur rekord të ri kombëtar në garën e 3000 metrave me pengesa.
Këtë herë Gega ka mahnitur në eventin prestigjioz, “Diamond League”, të zhvilluar në Zyrih. Kampionia kuqezi ka fiksuar kohën 9:09.64 në garën e mbrëmjes së sotme, duke stampuar kështu rekordin e radhës në një karrierë të pabesueshme. Luiza përmirëson kohën 9:10.27, të cilën e kishte regjistruar një vit më parë në Kampionatin Botëror në SHBA.
Ndërkohë, duhet theksuar se edhe në “Diamond League” Luiza nuk ishte në kondicionin e saj më të mirë fizik, pasi ende nuk e ka kaluar plotësisht dëmtimin e pasuar rreth 2 javë më parë. Megjithatë ajo bëri një paraqitje mbresëlënëse. Në “Diamond League” morën pjesën atletet më të mira të botës, ndërsa me kohën 9:09.64, Gega u klasifikua në vend të katërt.
I gjithë podiumi i Zyrihut u formua nga treshja e parë e Botërorit të Budapestit, teksa në vend të parë u rendit keniania Mutile Winfred Yavi, e cila përfaqëson Bahrejnin. Ajo fiksoi kohën 9:03.19. Pas saj u klasifikuan dy sportistet e Kenias, Beatrice Chepkoech me kohën 9:03.70 dhe Faith Cherotich me rezultatin 9:07.59. Ndërsa menjëherë pas tyre në finish mbërriti kampionia jonë, e cila po thyen çdo limit duke mahnitur në sallonet më të rëndësishme globale të atletikës.
Diskutime rreth kësaj post