Atletja shqiptare, Luiza Gega tashmë është kampione evropiane në 3.000 metra me pengesa.
Në eventin që po zhvillohet në Mynih të Gjermanisë, ajo dha kohën 9’11”31, në një garë që e dominoi nga starti e deri në fund. Një rezultat i jashtëzakonshëm për Gegën dhe atletikën shqiptare, që ngjitet në majën e Evropës.
Gega kurorëzoi kështu me një medalje të artë një sezon të jashtëzakonshëm, ku ka dominuar kudo që ka garuar. Kampione e Evropës, në një garë që ajo nuk e vuri asnjëherë në diskutim fitoren, duke qenë gjithnjë në krye dhe e shkëputur ndjeshëm nga të gjitha rivalet, që duelonin vetëm për podiumin.
Një triumf i madh për Luiza Gegën, trajnerin e saj Taulant Stërmasi dhe atletikën shqiptare.
Një finale pa histori (ashtu sikurse edhe gara e baterive dy ditë më parë), ku Gega “garoi” me veten, duke mos u dhënë asnjë shans rivaleve të saj ta arrijnë. Pas finishit, lotë gëzimi për atleten shqiptare, që mori flamurin kuqezi në krahë dhe e valëviti në gjithë pistën, duke festuar një triumf të jashtëzakonshëm për të. 33-vjeçarja bëri realitet ëndrrën e saj, duke u ngjitur në majën e podiumit.
Në vendin e dytë, me 4 sekonda vonesë u rendit atletja gjermane Lea Meyer dhe e treta ajo britanike Elizabeth Bird.
Diskutime rreth kësaj post